Shkruan: Blerim Valla
Në Gjakovë është mbajtur një debat i hapur, shumë i rëndësishëm, mbi të ardhmen e krijimit të Fondit Sovran të Kosovës, debat i cili si synim kishte të ofrojë një sqarim gjithëpërfshirës rreth Fondit, objektivave të tij, por edhe rreth implikimeve legjislative dhe ndikimeve të mundshme të këtij entiteti ekonomik të pavarur.
Në këtë ngjarje, organizuar nga organizata FES (Friedrich Ebert Stiftung), Zyra në Kosovë (Prishtinë), për më shumë se 2 orë u debatua mirë, e ardhmja e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, me anëtarët e shoqërisë civile, asambleistët e Komunës së Gjakovës, ekspertët e ekonomisë lokale dhe anëtarët tjerë të komunitetit dhe grupet tjera të interesit.
Panelistë të këtij debati ishin Emanuel Bajra e Gent Nushi (të 2 këta anëtarë të grupit punues që kanë hartuar Ligjin për Fondin Sovran të Kosovës) dhe profesori universitar i ekonomisë Emrush Ujkanit, kurse moderatore ishte Rudina Nallbani -Hoxha nga organizata FES.
Fal gjithë këtyre folësve u bisedua poashtu edhe për objektivat, qëllimin dhe implikimet e mundshme të Fondit Sovran në ekonominë e Kosovës. Por edhe për rëndësinë e një politike të gjerë reformash që përfshin potencialet për zhvillimin e ekonomisë lokale, duke shfrytëzuar asetet shtetërore që gjenden në komunën e Gjakovës dhe përfitimet e ardhshme për komunitetin e gjerë të këtij qyteteti. Meqë dihet se Gjakova dhe ekonomia e saj ka pësuar dhe ka vuajtur më së shumti nga lufta e fundit por edhe nga Ligji i Privatizimit (udhëhequr mbrapsht nga ish AKM-ja dhe AKP – ja) ligj ky i cili nuk ka qenë aspak i favorshëm për shumë ndërmarrje shoqërore të këtij qyteti.
Panelisti i parë, ishte Emanuel Bajra, bankier dhe ekspert financiar i njohur që jeton dhe punon qe 25 vite në Londër. Ai ka studiuar në universitetet më prestigjioze te Mbretërisë së Bashkuar dhe ka një përvojë të jashtëzakonshme pune në bankat më të njohura dhe në tregjet financiare të ishullit. Aktualisht, përvojën dhe dijen e tij e ka vënë në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, dhe nuk ka shumë kohë që kryeson Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust) si dhe është një nga hartuesit e Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës, i miratuar kohë më parë edhe nga Kuvendi i Kosovës dhe i cili tash pritet vetëm të operacionalizohet.
“E kam kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë të marr pjesë dhe të jap një diskurs pozitiv, të argumentuar e të nevojshëm në mbrojtje të projektit më të madh ekonomik në dekada që ka ndërmarrë Kosova projektin për Fondin Sovran, pikërisht në Gjakovë, në vendin ku industrializimi i Kosovës pat filluar dekada më parë!
Ideja për këtë fond ka lindur në vitet 2008-2009 nga kontaktet që kemi patur me prof. Besnik Pula, dhe janë 10 vite që kemi punuar së bashku unë dhe prof.Pula që të institucionalizohet ky projekt në shtetin tonë, projekt ky unik nga 80 fonde të këtilla sovrane të botës që operojnë tashmë. Me bindje të plotë mund t’ju them se Fondi Sovran do të jetë Pasaporta Ekonomike e Kosovës, që do t’u hapë rrugë zhvillimeve kapitale në Kosovë. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend, pasi me miratimin këto ditë të këtij ligjit në Kuvendin e Kosovës, Kosova është vendosur në hartën financiare të rajonit dhe Evropës. Me këtë fond 51% aksionar do të jetë shteti ( populli) i Kosovës kurse investitorët e jashtëm do të mund të investojn do të mund të investojnë ose të kenë aksione vetëm 49% .
Fondi Sovran i Kosovës do ti menaxhojë këto asete kombëtare që na kanë mbetur në pronësi tonë dhe orientimin do ta ketë tek qasja në kapitalin e jashtëm si edhe krijimin ndër vite të një kthimi të mirë në investime për të mirën e ekonomisë së vendit. Fondi Sovran do të jetë entitet financiar ekonomik që do ti garantojë popullit të Kosovës infrastrukturë më të mirë ekonomike si edhe menaxhim më të mirë të pasurisë kombëtare të Kosovës.
Bajra ka theksuar se duhet punuar në kuptim institucional që Fondi të jetë i përshtatshëm për investitorët, dhe se në qeveritë e kaluara nuk ka pasur vullnet politik për ta krijuar këtë fond. “Nuk ka pasur vullnet politik. Kam takuar Haradinajn, Thaçin, e kam hapur idenë e kam diskutuar, por nuk ka pasur vullnet. Nevoja për ndryshim radikal sa i përket Fondit është mbështetur me qeverinë aktuale në pushtet ”, ka thënë ai.
Tutje ka sqaruar se Fondi Sovran do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me ekonominë e vendit dhe se nuk do të shkojë përmes politikës. Pra përmes fondit ekonomia e Kosovës do të ndahet nga politika përfundimisht
Para të pranishmëve Bajra ka folur edhe për idenë e bursës së Kosovës. Ai ka deklaruar se duhet filluar menjëherë me krijimin e ligjit për bursën e Kosovës.
“Tani me kalimin e ligjit për Fondin ne duhet ta fillojmë punën për krijimin e Ligjit për bursën e Kosovës dhe Ligjin e tregut kapital. Bursa do të jetë entitet i veçantë, do jetë kompani financiare. Mendoj se brenda 2-3 viteve fondi të jetë i gatshëm për të, kurse brenda 5 vitesh bursa. Ideja është që brenda dekadës ta zbatojmë”, ka deklaruar Bajra.
Bajra tha edhe se për ta filluar punën ky fond, qeveria do t’i japë 20 milionë euro, por që, sipas tij, kanë përcaktuar disa përkufizime që nuk ia mundësojnë qeverisë ndërhyrjen menaxheriale e komerciale në fond.“Është shumë e rëndësishëm për ne që njerëzit ta kuptojnë se ekipin menaxhues apo drejtues të fondit nuk e përcakton Parlamenti, por përcaktohen kriteret e punësimit nga bordi. Pra fondi do të qeveriset nga një ekip menaxhues që nuk është i përcaktuar nga parlamenti, por janë profesionistët ata që do ta menaxhojnë këtë fond”, përfundoi eksperti Emanuel Bajra.
Kurse folësi i dytë i këtij debati tejet interesant, ishte dr. Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit Evropian për Investime, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me ekipin hartues të Fondit… Ekonomisti Ujkani vlerësoi se iniciativa për Fondin Sovran është shumë me vend. Sipas tij, “Kalimi i ndërmarrjeve publike nën menaxhim të Fondit Sovran sjell dobi për tregun e Kosovës dhe nuk është mirë dhe është e dëmshme që kushdo qoftë, pra edhe partitë opozitare të pengojnë fillimin e punës së Fondit, duke e dërguar siç po flasin në Gjykatën Kushtetuese ! Veç pse gjërat nuk kanë shkuar mirë në ekonomi për dekada në të kaluarën, nuk do të thotë qe ne tashti duhet të vendnumërojmë e të qëndrojmë duarkryq, të mos e ndryshojmë çasjen tonë në të mirë të ekonomisë së vendit. Ideja është të kemi një institucion financiar, një investues që në emër të shtetit të Kosovës të krijohen vlera të reja ekonomike dhe do t’i krijojë mundësi ekonomike Kosovës. Siç dihet në Kuvendin e Kosovës ka arritur që të kalohet ligji për Fondin Sovran të Kosovës. Dhe tani duhet vetëm për ta operacionalizuar si fond dhe si institucion i pavarur ekonomik shtetëror, fal edhe një konsensusi politik edhe të opozitës. Meqë opozita në Kuvend ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të këtij ligji. E kjo për mua si njohës i ekonomisë nuk është e mirë për shtetin dhe ekonominë e Kosovës”. Këtë nuk ia ka borgj askujt Kosova ta pengojë punën e fondit, por duhet ta mbeshtesim të gjithë” potencoi prof. Ujkani.
Kurse folësi i tretë Gent Nushi në cilësinë e ekspertit ligjor, fillimisht potencoi se Dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës as OSHP-ja nuk e cenojnë punën e Fondit pasi Fondi do të operoj i pavarur nga këto organizma që kanë penguar shumë investimet e jashtme në Kosovë. Z. Nushi mes tjerash tha edhe se Fondi Sovran jo veç që nuk cenon sektorin privat, por e kundërta do të ndodh: Sektori privat stimulohet nëpërmjet të hapjes së tregut të kapitalit sepse Fondi Sovran ofron vlerë të shtuar në ciklin e likuiditetit në ekonomi por edhe e ndryshon diskursin e korporatave shtetërore nëpërmjet të përmirësimit të qeverisjes korporative dhe menaxhimit më të mirë të kapitalit publik. Sipas z. Nushi janë pikërisht kapitulli IX i Kushtetutës së Republikës së Kosovës si edhe nenet 9 dhe 1 që janë relevante në favor të krijimit të Fondit Sovran të Republikës së Kosovës sepse Fondi nuk ia cënon asnjë individi, ndërmarrje private apo operatori ekonomik lirinë e aktivitetit ekonomik sepse Fondi nuk do të jetë operator ekonomik që konkurron në linja të prodhimit ose tregtisë. Do të ishte fatkeqësi nëse dikush e kundërshton dhe e dërgon këtë Ligj për Fondin Sovran të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese vetëm për inate dhe teke politike”, theksoi në fjalën e tij z. Nushi.
Duhet cekur se disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran janë: Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati Metalurgjik Trepça, Trainkos-i, Infrakos-i etj.
Prndryshe Ligji për Fondin Sovran të Kosovës është punuar nga Grupi Punues i kryesuar nga Dr. Besnik Pula, dhe me anëtarë Dr. Arta Hoxha, Emanuel Bajra, Edison Jakurti dhe Tea Blakaj-Hoxha, e këtij grupi punues iu është bashkangjitur më pas edhe eksperti ligjor Gent Nushi, me ekspertizën e tij.