Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka vizituar disa familje në Gjakovë dhe në Prizren me rastin e Krishtlindjes duke thënë “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, posaçërisht gjatë festave”, përcjell InLajmi.
Krasniqi shprehu mirënjohjen për secilën familje që hapi sot dyert dhe zemrat e tyre për t’i mirëpritur në këtë festë duke thënë se bujaria, mikpritja dhe miqësia e kanë lumturuar shumë.
Tutje ai tha se fryma e kësaj feste le të vazhdojë të shkëlqejë në jetën tuaj, duke përhapur përgjithmonë vetëm dashuri, paqe dhe mbarësi.
Kryetari i PDK-së bë këto vizita ishte së bashku me nënkryetaren e partisë Vlora Çitakun.
Postimi i plotë i tij:
Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut e posaçërisht gjatë festave!
Ngrohtësia e vatrave të zjarrit, dritat vezulluese që zbukuronin pemët e dekoruara bukur dhe meloditë e ëmbla të këngëve tona që kumbonin nëpër çdo shtëpi ku isha sot mysafir, i bënë vizitat e mia me rastin e Krishtlindjes vërtetë magjike.
Përtej këtyre, ngrohtësia e vërtetë ishte mikpritja dhe mirësia që më dhuruan familjet e Edi Markut në Dardani, Rrok Lulit në Dujakë dhe Anton Nikollbibajt në Brekoc të Gjakovës, si dhe të Pjetër Përlazrit në Velezhë dhe Mario Palucës në Trepeticë të Prizrenit.
U shpreh mirënjohjen time të përzemërt secilës familje që hapi sot dyert dhe zemrat e tyre për të na mirëpritur në këtë festë të veçantë. Bujaria, mikpritja dhe miqësia juaj më kanë lumturuar shumë, andaj ju jam shumë mirënjohës për kujtimet e bukura që krijuam së bashku.
Fryma e kësaj feste le të vazhdojë të shkëlqejë në jetën tuaj, duke përhapur përgjithmonë vetëm dashuri, paqe dhe mbarësi!
Për shumë mot Krishtlindjen! /InLajmi/