Pas përfundimit të takimit ndërmjet Imer Zeqirit, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Zeqiri ka deklaruar për mediat rreth rezultateve të këtij takimi, raporton InLajmi.
Zeqiri e konsideroi si një bisedë konstruktive atë të zhvilluar me ministrin teksa tha se është diskutuar për të gjitha kërkesat e sindikatës. Sipas tij këto kërkesa do të analizohen detajisht dhe në takimin e radhës do të diskutohen cilat do jenë prioritetet.
“Të bëhem shumë i sinqertë që biseda ka qenë jashtëzakonisht konstruktive edhe nga ministri Sveçla edhe normal nga drejtori i Policisë pasi që ishte prezent edhe ai aty. Gjatë tërë bisedës janë biseduar të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar. Janë 14 kërkesa për të cilat kemi fol dhe bisedë e sipër në realitet nuk është marr ndonjë vendim. Është marr vendim që këto kërkesa të analizohen në detaje dhe në takimin e ardhshëm të vendosen se për cilat do të vendosen prioritete”, tha ai.
Më tutje kryetari i sindikatës u shpreh se janë të vetdijshëm që të gjitha kërkesat nuk mund të realizohen menjëherë.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha. /InLajmi/