Kryetari i Partisë Sociale Demokrate, Dardan Molliqaj bashkë me disa aktivistë të mërkurën ka vizituar familjen e Sali Mustafës i cili tashmë po vuan dënimin në Gjykatën e Hagës përcjell InLajmi.
Ndërsa vizituan familjen Molliqaj shprehet se Cali është dënuar arbitrarisht me 22 vite burg, por solidariteti dhe afërsia me familjen e tij është minimumi i detyrimit që e kemi.
Tutje thekson Molliqaj se në vend të shpresave për vendimet e mira, Kosova duhet të gjejë rrugë për ta mbrojtur luftën dhe njerëzit. Është guri i lirisë që po lëvizet.
Postimi i plotë i tij:
Bashkë me aktiviste e aktivistë të PSD-së e kemi vizituar familjen e Salih Mustafës. Cali është dënuar me 22 vite burg krejt arbitrarisht. Cali ka qenë veprimtar e i burgosur politik edhe para fillimit të luftës. Sakrificën e bartë veç vetëdija e lartë.

Barra e rëndë për Calin në Hagë mundet me u kuptu edhe me lehtësinë me të cilën përjetohet secili lajm për UÇK-në këtu. Rrethanat shoqërore janë rrethana politike. Cali është i vetëdijshëm për këtë, e mbaj mend nga vizita.
Vlora, Buna dhe Skifteri përballen me mungesën e njeriut më të dashur. Solidariteti dhe afërsia me ta është minimumi i detyrimit. Çështja si angazhimi për liri shpesh duket abstrakte. Nëse ajo disi konkretizohet, fjala kryesore është tjetri/tjerët. Ndjenjë, solidaritet, sakrificë – bëhet për tjetrin.
Nuk më pëlqen ta them, por të vërtetat duhet shikuar në sy: mënyra si ka vendosur Gjykata për Calin është një lajm i keq për krejt procesin kundër UÇK-së. Në vend të shpresave për vendimet e mira, Kosova duhet të gjejë rrugë për ta mbrojtur luftën dhe njerëzit. Është guri i lirisë që po lëvizet. /InLajmi/