Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar një mesazh shqiptarëve të luginës duke i përgëzuar për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet që po zhvillohen në Serbi, përcjell InLajmi.
Në mesazhin e saj Osmani shprehet se kjo pjesëmarrje në zgjedhje është kundërpërgjigja më e mirë demokratike ndaj politikës shoviniste të Beogradit. Më tutje ajo u bën thirrje edhe qytetarëve të tjerë që të ushtrojnë këtë të drejtë themelore, pavarësisht masave administrative që mund të ndërmerren kundra saj.
Njoftimi i plotë nga Presidenca e Republikës së Kosovës:
Mesazh nga Presidentja Vjosa Osmani për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit:
Pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative.
Prandaj, ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë në këto treva, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, edhe pse kjo e drejtë e tyre vazhdon të jetë nën sulm nga regjimi në Beograd. /InLajmi/