Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar ndaj deklaratës së Albin Kurtit për rezultatet e Qeverisë duke e kritikuar qasjen e tij për informim, përcjell InLajmi.
Në reagimin e saj Halimi gjithashtu kritikon edhe raportimet e medias të cilat sipas saj ndihmojnë në krijimin e një realiteti paralel, teksa e konsideron Qeverinë aktuale si jotransparente.
Më tutje, zëdhënësja e LDK-ë shprehet se këto rezultate nuk po shihen askund e ndërkohë taksat e qytetarëve po kthehen në lëmoshë në këmbim të votës.
Postimi i saj i plotë:
Kosova nën sanksione, derisa kryeministri i vendit thotë që vendet e tjera s’i shohin as në ëndërr rezultatet e tij. Për të shkuar më tej, madje as edhe mediet nuk ia paraqesin rezultatet e qeverisjes së tij, duke pretenduar që nuk është duke i sponsorizuar ato.
Me qasje të tillë që na shfaqet si një realitet paralel, përpos të rrezikshme ndaj medieve, ky pushtet hermetik i mbyllur dhe skajshëm jotransparent, vazhdon fushatën linçuese ndaj përpjekjes së kujtdo, për të shpërfaqur paaftësi shembullore në qeverisje.
Ne as në ëndërr nuk e kemi parë këtë stërkeqje të shtetit, për rezultatet as mos të flasim, ato as që shihen ndokund.
Tri vjet tallje, tensione e përplasje me aleatët, shndërrim i taksave të qytetarëve në lëmoshë në këmbim të votës dhe politika të rrezikshme nacionale?!
Vërtetë edhe si ëndërr, frikësuese! Më shumë si një makth! / InLajmi/