Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i është adresuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fjalimin e saj vjetor ka theksuar se po përmbyllet një vit në të cilin padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme u humbën shumë jetë grashë, raporton InLajmi.
Osmani thekson se dhuna me bazë gjinore nuk është thjesht një “çështje e grave”, është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim.
“Liridona Ademaj është emri që kumbon fort, si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas, kur padrejtësia zë vend fuqishëm. Kjo tashmë është plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona. Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjesht një “çështje e grave”, është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim”, u shpreh Osmani gjatë fjalimit vjetor në Kuvend.
Sipas presidentes, seksizmi është prezent pothuajse çdokund prandaj duhet të fuqizohen institucionet e sigurisë e ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen.
“Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë e ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjesht një imperativ ligjor; është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore. Duke i mbajtur autorët përgjegjës dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë”, tha presidentja.
Ajo përsëriti se të gjhitha bashkë duhet të veprojmë për një të ardhme të sigurt.
“E kam thënë, rithënë, e do e them sërish, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur”, ka theksuar Presidentja Osmani./InLajmi/
 
 
 
  
 















