Gjatë fjalimit të saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka folur rreth sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, raporton InLajmi.
Osmani u shpreh se ky sulm është i bazuar në idetë dhe planet hegjemoniste të Serbisë për realizimin e konceptit fashist “Bota serbe”. Gjithashtu ajo shtoi se ky sulm mori përgjigjen e duhur.
“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të ‘Botës serbe’. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”, ka theksuar Persidentja Osmani.
Më tutje ajo shtoi se me anë të veprimeve të mëtejshme Kosova dha mesazhin e qartë se do ti mbrojë kuijtë e saj me çdo kusht.
“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj presidentja Osmani.
Ndërkohë presidentja u shpreh se në raste të tilla uniteti është përgjigja e duhur për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu sipas saj rreziku ende nuk ka kaluar.
“Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur Osmani.
Fjalimi i presidentes në Kuvend është bojkotuar nga partitë opozitare AAK dhe PDK. /InLajmi/