Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom, ngjarje kjo e zhvilluar nën organizimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, përcjell InLajmi.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu falënderimet për kontributin e dhënë nga ky komunitet në Republikën e Kosovës.
Në këtë tryezë, u diskutua për sfidat, mundësitë e komunitetit rom, për prioritetet për vitin 2024, aktivitetet të cilat janë zhvilluar gjatë vitit, si dhe çështja e punësimit, për të cilën është krijuar platforma për praktikë me pagesë përmes “Kosovo Generation Unlimited”, e cila ka si synim që 15% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria ka investuar 200.000 euro në qendra mësimore si ndihmë për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian.
Ai përmendi dhe të arriturat me rëndësi si ndarjen e mjeteve buxhetore për rinovimin dhe ndërtimin e 618 shtëpive të komuniteteve, prej të cilave përfiton edhe komuniteti rom.
Nga grantet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, 146 familje rome kanë përfituar teknikë të bardhë, mobilje, pako higjienike e ushqimore, dhe mbështetje për biznese si dhe për përdorimin e gjuhës rome është mundësuar që Strategjia dhe Plani i Veprimit për Rini të përkthehet edhe në gjuhën rome, ashtu që të arrihet konsultimi i plotë me të rinjtë e Kosovës.
Gjithashtu shtoi se janë ndarë bursa për 500 nxënës të këtyre komuniteteve në shkollat e mesme, ndërsa për studentët në universitete publike janë ndarë 55 bursa.
Me këtë rast, teksa foli edhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë e cila do të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm, kryeministri potencoi se për herë të parë secili komunitet do të ketë regjistruesin prej komunitetit që i përket ashtu që bashkëbisedimi të jetë efikas dhe sa më dashamirës.
“Duam që të sigurohemi me këtë rast, që të drejtat e garantuara me Kushtetutë, t’i gëzojmë edhe siç ju takon, si në nivelin lokal edhe në atë qendror, të gjitha komunitetet, e jemi të përkushtuar që komuniteti rom të jetë i përfshirë në procesin e regjistrimit deri në maksimum”, përfundoi kryeministri Kurti.
Në përfundim, ai u shpreh se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që hasin ky komunitet, ato do t’i përballojnë së bashku. /InLajmi/