Zëvendësdrejtori rajonal për veriun e Kosovës, Veton Elshani, thotë se që nga sulmi terrorist në Banjskë, situata në veri ka ndryshuar 180°.
Elshani thotë se deeskalimi në veri varet nga Serbia, të cilët sipas tij, kanë në duar “pullën e panikut”.
“Në veriun e Kosovës, “pullën e panikut” Serbia e ka në dorë, ata e prekin, ata e lëvizin. Në momentin që e ki shërbimin shëndetësor dhe atë arsimor në duar të tyre është problem, sepse ata i kushtëzojnë ata njerëz… Unë konsideroj që gjërat kanë ndryshuar, nëse 90° e ka ndryshuar situata prej nëntorit të vitit të kaluar e deri te Banjska, 90° të tjera, pra 180° komplet është ndërruar prej rastit të Banjskës”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Elshani thotë se në veri të vendit ka profesionalizëm të madh nga ana e policëve.
“Aty ka profesionalizëm të madh të Policisë së Kosovës qysh e kemi organizuar ne, unë kam qenë aty mes njësiteve dhe institucioneve… Prej Afrimit që është vrarë, e deri në këtë moment që unë flas në këtë studio ne kemi vetëm lajme të mira”, deklaroi ai.
Ai tha se hetimet për rastin e Banjskës janë duke vazhduar, duke i quajtur hetime delikate.
“Ky është një hetim delikat, është shumë i thellë që është duke u zhvilluar. Ne kemi ndërhyrë në disa raste, ka pas raste që nuk ka pasur të arrestuar, kjo nuk do të thotë që ne kemi shkuar pas njerëzve, shkojmë për diçka tjetër”, shtoi Elshani.
Në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator, që si pasojë mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues. Për organizimin e këtij sulmi janë duke u akuzuar ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë, ku dhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrest.
Milan Radoiçiq që e ka marrë përgjegjësinë e sulmit, vazhdon të jetë ende i lirë.