Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, gjatë seancës ku po shqyrtohet në lexim të 2-të Projektligji i Buxhetit të Kosovës për vitin 2024, është shprehur se asnjë nga 64 amendamentet e ligjit për buxhet nuk do të miratohet, transmeton InLajmi.
Tahiri theksoi se projektbuxheti është dokument politik i një partie që e shfrytëzon buxhetin e Kosovës për përfitime partiake.
“Ky ligj i ka 64 amandamente, prej tyre asnjë nuk do të miratohet. Jemi duke folur për një dokument puro politik të një partie politike, që e shfrytëzon buxhetin e qytetarëve të Kosovës për përfitime partiake në kurrizin e deputetëve. Po flasim për një kabinet qeveritar, i cili është i paaftë të ushtrojë funksionin e vet kushtetues dhe qeverisës”, u shpreh Tahiri,
Tahiri pati kritika për gjendjen ekonomike në vend, ndërsa si pasojë e kësaj situate sektori privat, tha ai, është para kolapsit.
Tutje deputeti Tahiri shprehu kritika për ndajret buxhetore për investimet kapitale, përçka tha ai se nëse nuk dyfishohet investimi kapital, Kosova është drejt bankrotimit.
“ Nëse në vitin 2024 nuk e dyfishoni investimin kapital, Kosova do të bankrotojë. Shfrytëzoj rastin t’ia uroj edhe babadimrit vitin e ri, e iu rrit ndera që na ka dhënë nga 100 euro”, tha ai.
Në seancën parlamentare të dedikuar miratimit të buxhetit për vitin 2024 vazhdojnë kritikat nga ana e opozitës e cila është e pakënaqur me ndarjet buxhetore të planifikuara. /InLajmi/