Artistja shqiptare me renome botërore, Rita Ora, së fundmi ka qenë e ftuar në podcastin e famshëm amerikan të ‘Dear Media Studio’.
Ajo ka folur për karrierën e saj të suksesshme në muzikë dhe sigurisht për origjinën e saj, Kosovën.
Teksa iu përgjigj pyetjes për rrënjët e saj shqiptare, 33-vjeçarja tha se është e lindur në shtetin që sot e quajnë Kosovë, por që dikur ishte pjesë e Shqipërisë.
“Unë jam lindur në Kosovë, Shqipëri. Mirë, tani është Kosovë por dikur ishte pjesë e Shqipërisë. Dhe pastaj u shpërngula në Londër kur isha një vjeçe”, tha Ora.
Moderatorja e podcastit tha se ka shumë shqiptarë të famshëm në industrinë e muzikës botërore, për të cilët Rita u pajtua dhe u shpreh shumë krenare për të arriturat e tyre.
“Po është bukur t’i shohësh. Kur unë fillova në vitin 2012, nuk kishte. Kështu që tani ne kemi Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe është e mrekullueshme”, tha interpretuesja e hitit “I Will Never Let You Down”, shkruan GazetaSinjali.
Rita përndryshe ka vizituar vendlindjen e saj, Prishtinën, vetëm pak javë më parë ku edhe kremtoi ditëlindjen e saj të 33-të dhe takoi krerët më të lartë të vendit.