Në sallë ishin të pranishëm 64 deputetë nga mazhoranca, derisa opozita nuk mori pjesë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, para votimit në lexim të 2-të të projektligjit për buxhetin 2024, u bëri thirrje deputetëve të jenë të pranishëm në sallë, për të siguruar kuorumin e nevojshëm.
Gjatë seancës plenare nuk u mbështetën disa amendamente të propozuara nga deputetët opozitarë, në mënyrë që ato të përfshihen në projektligjin e 2-të për buxhet.
Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së, propozoi amendamentin për asfaltimin e rrugës në Buricë të Podujevës, në gjatësi 1.2 km, projekt ky në vlerë 250.000 euro, i cili nuk gjeti mbështetjen e shumicës, duke marrë vetëm 20 vota pro, teksa 44 deputetë u shprehën kundër dhe 6-të abstenime.
Po ashtu nuk gjeti mbështetje as amendamenti i propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu i PDK-së për ngritjen e shtatores së dëshmorit të kombit Agim Ramadani në Mitrovicë, në shumë 100.000 euro.
Mbështetje nuk gjetën edhe amendamentet e propozuara nga deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj që pensioni bazë të rritet nga 100 në 120 euro, ai për rrugën Pejë-Kuqishte-Çakorr, për të cilën janë paraparë 2 milionë euro, si dhe ai për hulumtime shkencore në Kosovë, duke kërkuar formimin e një fondi prej 2 milionë eurosh.
Po ashtu, mbështetje nuk gjetën as amendamentet e deputetit të PDK-së Elmi Reçica për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj, ndërtimin e objektit të spitalit në Ferizaj, ndërtimin e shkollës profesionale në Ferizaj, ndërtimin e objektit shkollor në Doganaj Kaçanik, sikurse edhe ai për ndërtimin e kanalit të ujitjes në Kaçanik, shkruan Telegrafi.
Ndryshe, gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit 2024, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se në buxhetin e parashikuar prej më shumë se 3.3 miliardë eurosh do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se sa në vitin aktual.