Iniciativa CorrWatch ka organizuar konferencën me temë: “Nga transparenca te besimi: Zgjidhjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel”, në bashkëpunim me Grupi për Studime Juridike dhe Politike GLPS, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore INDEP, raporton InLajmi.
Në këtë konferencë pjesëmarrës ishte ambasadori britanik Nicholas Abbott i cili tha se institucioni i tij është duke ndihmuar nëpërmjet projekteve të ndryshme për të rritur transparencën pasi që sipas tij transparenca është baza e llogaridhënies. Më tutje ai u shpreh se mosndëshkimi është themeli mbi të cilin korrupsioni ndërtohet.
“Ambasada Britanike përmes projekteve po u ndihmon në ndërtimin e kulturës dhe transparencës dhe transparenca është baza e llogaridhënies, të gjithë qytetarët dhe zyrtarët duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Është e ditur që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thuajse e pamundur pa një shoqëri civile dhe të pavarur pa institucione të forta dhe mosndëshkimi bëhet një themel ku ndërtohet korrupsioni. Ne po ndihmojmë institucionet që të rrisin transparencën dhe me rekomandime të cilat iu ndihmojnë institucioneve për punën e tyre”. Tha ai.
Gjithashtu edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se ka dorëzuar mbi 200 lëndë të lidhura me raste të korrupsionit në polici dhe ende është duke pritur për një përgjigje rreth tyre. Ministrja Haxhiu po ashtu u shpreh se ka marrë shumë iniciative për të fuqizuar mekanizmat që ndihmojnë në luftimin e korrupsionit.
“Njësoj kam vepruar edhe unë si ministre e Drejtësisë dhe gjitha lëndët që i kemi dërguar në Prokurori dhe Polici mbërrin numrin mbi 200 pra e gjithë Qeveria me agjencitë që ajo ka dhe ajo çfarë kemi vërejtur është mungesa e veprimeve nga ana e institucioneve të drejtësisë në raport me rastet që i kemi dërguar konsideroj që është problem serioz sepse kur një institucion e dërgon një lëndë në prokurori dhe kur prokuroria fle mbi atë lëndë nuk e trajton kemi probleme serioze, jam kritikuar shumë që po ndërhyj në drejtësi me deklarata publike nuk do ndalëm do vazhdojë që të i adresojë kritika sistemit, si ministri e drejtësisë kemi marr shumë iniciativa të cilat fuqizojnë mekanizmat kundër korrupsionit dhe adresojnë paketën ligjore kundër korrupsionit”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit u shpreh se ky projekt ka për qëllim ngjalljen e diskutimit rreth aspekteve të ndryshme të luftës ndaj korrupsionit.
“Burime të mjaftueshme, por edhe mbrojtje që të kryejnë punët në formë të pavarur. Qëllimi kryesor i këtij projekti është shërbimi si një platformë për të ngjallur diskutim lidhur me aspektet kryesore, sfidat dhe praktikat e mira në këto fusha duke mbledhur përfaqësues institucional, ekspertë ndërkombëtar dhe vendor si dhe shoqërinë civile”, tha ai.
Kjo konferencë është në kuadër të aktivitete për parandalimin e korrupsionit dhe krimit në institucionet publike. /InLajmi/