Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllim familjes dhe kolegëve të policit Rexhep Sejdiu, i cili u nda nga jeta këtë të diel gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje, përcjell InLajmi.
Sveçla tha se zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.
Tutje ai tha se Sejdiu para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic.
Postimi i plotë i tij:
Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të Zyrtarit Policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje.
Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantic.
Zyrtari policor Rexhep Sejdiu do të mbetet përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.
Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre. /InLajmi/