Ish-senatori zviceran, Dick Marty është nderuar me çmimin e meritave nga Këshilli i Evropës.
Fotografitë u publikuan në rrjete sociale, ku shihej Marty teksa pranonte çmimin.
Njëri nga raportet me të cilat u bë i famshëm ky senator kishte qenë ai ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës akuzohet për trafikim të organeve. Një raport që erdhi me kërkesën e senatorit rus, Konstantin Kosachev.
Pas raportit të Martyt, u krijua një Task Forcë Hetimore e udhëhequr nga Clint Williamson, i cili edhe publikisht e kishte pranuar se nuk kanë gjetur për trafikim të organeve, por kishte elementeve të krimeve tjera të luftës.
Si rezultat, u krijua edhe Gjykata Speciale.
Mirëpo, çfarë ndodhi pasi Dick Marty e pranoi çmimin?
Fred Abrahamsin tashmë po e njohim të gjithë. Kjo lidhur me dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës ku ai e pranoi se i ka shfrytëzuar burimet nga qeveria dhe mediat e Serbisë për të hartuar pjesë të raporteve.
Abrahams pas këtij çmimi, në një artikull për Human Rights Watch e quajti Dick Martyn “hero i të drejtave të njeriut”. Pasi ia bën një rezyme të të gjithë punë së tij, Abrahams flet për raportin e Dick Martyt lidhur me UÇK-në dhe trafikimin e organeve. Aty Abrahams thotë se raporti për abuzimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së para dhe pas luftës, ka nxitur krijimin e një hetimi i cili më pas çoi në krijimin e Gjykatës Speciale, shkruan Nacionale.
Mirëpo, Abrahams në artikullin e tij nuk e përmend askund që në akuzat aktuale të Speciales, nuk ka as edhe një detaj që ndërlidhet me trafikimin e organeve.
Një detaj tjetër në artikullin e Abrahams ndërlidhet me kërcënimet ndaj Martyt. Hajde le ta shohim cka thuhet aty.
“Tema e përbashkët në raportet e Dik Martit është ndjekja e fakteve pa marrë parasysh politikën. Ai dënoi abuzimet e rënda, pavarësisht nga fajtori apo sa jopopullor pretendimi. Për këtë, ndaj tij është shpifur nga ekspertë, politikanë dhe një kryeministër që bën fushatë për të shtypur punën e tij. Më seriozisht, ai ka marrë kërcënime me vdekje dhe është bërë objekt i një atentati”, ka thënë Abrahams.
Në bazë të fjalëve të Abrahams, duket se ai e ka për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që ka pasur iniciativë për zhvlerësimin e raportit të Dick Martyt.
Mirëpo, me kaq nuk përfundon. Kur flet për UÇK-në, kërcënimet e shpifjet, Abrahams në artikullin e tij nuk e përmend decitivisht se Dick Marty ishte kërcënuar me vrasje nga shërbimet inteligjente serbe, me qëllim që fajin t’ua lënë institucioneve të Kosovës. Aty ai vetëm ka vendosur një link të një artikulli, ku flitet më në detaje për këtë fakt, transmeton Zëri.
Fakti është që kërcënimi i Dick Martyt kishte ardhur disa ditë pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së. U konstatua se Serbia e kërcënoi Martyn me vrasje, me qëllim që faji t’i mbetet Kosovës. Një plan i cili fatmirësisht dështoi.