Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka adresuar kritikat ndaj qasjes së Qeverisë për mos punë në shumë sektor, me theks në sektorin e shëndetësisë, ndërsa u shpreh se ndërrimi i shpeshtë i ministrave ka ndikuar negativisht në zhvillimin e këtij sektori, raporton InLajmi.
Derisa kritikoi qeverisjen për mungesë zhvillimi të sektorit të shëndetësisë, argumentoi këtë me mungesë të investimeve kapitale por edhe ikjen e punëtorëve shëndetësor jashtë vendit.
“Kjo qeveri nëse shumë pak ka punuar në fusha të tjera, në shëndetësi nuk po ka punuar fare. Ja faktet të cilat tregojnë që nuk ka punuar fare, për 3 vite janë ndërruar tre ministra, nuk ka as një strategji në shëndet, më shumë se 200 mjekë po na ikin çdo vit, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria, nuk kemi asnjë investim kaptial, kemi ankesa të njëjta nga të gjitha odat profesionistëve shëndetësor”, tha ai.
Ish- ministri vijoi me kritikat duke thënë se në sektorin e shëndetësisë ekzistojnë parregullsi të shumta.
Gjithashtu u shpreh ai se Fondi shëndetësor i premtuar ende nuk është miratuar e madje do të shtyhet për vitin e ardhshëm.
“Fondi shëndetësor të cilin e ka premtuar ministri Vitia që 3 vjet nuk e kemi askund, e madje lajmi kryesor i ditës, që po e them për herë të parë në këtë konferencë është se pikërisht ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurimet shëndetësore. Kam informacione të sakta të konfirmuara që ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm ashtu siç është bartur që 3 vite me radhë. Domethënë prioritetet dhe premtimet që erdhën qeveria në pushtet tani po kalojnë në bartje në vitet e ardhshme”, thaZemaj
Ish -ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së prej disa kohësh tashmë është duke kritikuar publikisht Qeverinë rreth qasjes së saj në sektorin e shëndetësisë publike. /InLajmi/