Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ministri Ejup Maqedonci është pjesëmarrës në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Pragë të Republikës Çeke, përcjell InLajmi.
Në këtë njoftim thuhet se ky takim ka për qëllim të diskutojë rreth sfidave aktuale të sigurisë që vijnë si shkak e ndikimit të ndikimit agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës si edhe zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme.
Gjatë këtij takimi ministri Maqedonci solli në vëmendje orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO si edhe kërkoi përkrahje politike të vendeve pjesëmarrëse në takim për realizim të këtyre aspiratave.
Njoftimi i plotë i ministrisë:
𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢 𝐌𝐚𝐪𝐞𝐝𝐨𝐧𝐜𝐢 𝐦𝐞𝐫𝐫 𝐩𝐣𝐞𝐬𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐞𝐫𝐢𝐚𝐥𝐢𝐧 𝐞 𝐢𝐧𝐢𝐜𝐢𝐚𝐭𝐢𝐯𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐁𝐚𝐬𝐡𝐤𝐞̈𝐩𝐮𝐧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐌𝐛𝐫𝐨𝐣𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐬 𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐨𝐫𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐁𝐚𝐥𝐥𝐤𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦𝐨𝐫
Ministri i Mbrojtjes z. Ejup Maqedonci po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defense Cooperation, CEDC), vendeve të Grupit të Vishegradit (V4), si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB), që po zhvillohet sot në Pragë të Republikës Çeke.
Ky është takimi i parë që zhvillohet në këtë format të zgjeruar dhe që ka për qëllim zhvillimin e diskutimeve mbi sfidat aktuale të sigurisë që vijnë si pasojë e ndikimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës si dhe zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim Ministri Maqedonci nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informoi të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë.
Ministri Maqedonci gjithashtu solli në vëmendje edhe një herë orientimin strategjik të vendit tonë për anëtarësim në BE dhe NATO dhe kërkoi përkrahjen politike e vendeve pjesëmarrëse në këtë format për realizimin e këtyre aspiratave të Republikës së Kosovës,për të mundësuar kontribut tonë më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.
Bashkëpunimi i Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defence Cooperation – CEDC) është iniciativë e bashkëpunimit ushtarak të vendeve të Europës Qendrore si: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe Polonia që ka statusin e vendit vëzhgues. Katër nga këto vende (Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia) përbëjnë njëkohësisht Grupin e Vishegradit. Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia ishin vendet e Ballkanit Perëndimor të përfaqësuara në këtë ministerial. /InLajmi/