Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e 3 ideve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës.
3 kompanitë pjesëmarrëse në garë janë Casanova+Hernandez Architecten, Roterdam, Hollandë, CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO, Kopenhagën, Danimarkë dhe Ensamble Studio, Madrid, Spanjë.
“Mua më vjen shumë mirë që një vizion i shpallur qysh në krye të herës nga ne për ta mbrojtur trupin e mahnitshëm të Shqipërisë, sa të jetë e mundur, si dhe për të ripërtërirë hap pas hapi me durim, shumë nga pjesët e atij trupi që janë dëmtuar rëndë në vite, duke pasur parasysh këtu natyrën, por edhe trashëgiminë kulturore është mishëruar në këtë vendim madhor të qeverisë shqiptare, për të pasur një Park Kombëtar të këtyre përmasave që do të ishte njësoj sikur Franca të shpallte Park Kombëtar 1/4-ën e trupit të saj, apo sikur të tjera vende të shpallnin Park Kombëtar një pjesë të konsiderueshme të trupit të tyre”, tha Rama në fjalën e tij.
“Ka qenë një proces, sepse kemi dashur të jemi shumë të sigurt që do të arrijmë të balancojmë nevojën për të mbrojtur dhe për të ripërtërirë këtë territor të mahnitshëm, me nevojën e njerëzve të këtij territori për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social. Dhe këtu kthehem përsëri tek ata që na bëjnë leksione morale, të cilët për hir të së vërtetës shohin të parën, por nuk duan t’ia dinë për të dytën dhe do të ishin krejt të lumtur që ta shihnin çdo pjesë të natyrës së Shqipërisë si një xhungël, të numëronin speciet, të numëronin llojet e bimësisë, pa numëruar njerëzit. Ndërkohë që Parku Kombëtar i Vjosës përshkon një numër të konsiderueshëm bashkish, qytetesh, qytezash, fshatrash, të cilat kanë nevojë për një rrugë dhe për një perspektivë zhvillimi ekonomik”, theksoi Rama.
“Në këtë pikë unë i jam shumë mirënjohës një pjese të atyre organizatave lokale dhe ndërkombëtare, të cilat e kanë kuptuar ndjeshmërinë tonë dhe të cilat kanë kuptuar që ne nuk kemi qenë hezitues për të shpallur Vjosën Park kombëtar, sepse kjo ka qenë pjesë e vizionit të shpallur qysh në krye të herës, por kemi dashur të mësojmë dhe të kuptojmë sa më mirë sesi do t’i ekuilibrojmë që të dyja.
Rama falënderoi organizatën Patagonia, sepse tha ai, “ka qenë krah për krah me ne, me një ndjeshmëri shumë të lartë për mjedisin, por edhe me një sensibilitet të admirueshëm në raport me këtë aspekt tjetër dhe faktikisht konkursi sotëm i hap rrugë pikërisht këtij aspekti të vizionit të konservimit po dhe të zhvillimit të Parkut Kombëtar.
Sepse, shtoi Rama:
“të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që Shqipëria është një vend ka të drejtën dhe detyrën të ketë ambicie për t’u rritur ekonomikisht në mënyrë të vazhdueshme dhe të konsiderueshme. Është një vend që ka të drejtën dhe ambicien që këtë pasuri të madhe natyrore, këtë larmi të madhe të natyrës, këtë dhuratë kaq bujare të Zotit ta vërë në dispozicion të vetvetes dhe të familjeve që jetojnë në këtë vend, që nuk kanë pse të mos meritojnë standardet më të larta ekonomike. Dhe standardet më të larta ekonomike në një vend që industrinë e vet kryesore qartësisht do të ketë turizmin, nuk mund të krijohen thjesht dhe vetëm nga ajo pjesë turistësh që vijnë në Shqipëri me një çantë në krah, që janë të gjithë të mirëseardhur, por duhet të kombinohen me atë pjesë turistësh që i përkasin kategorisë së konsumatorëve më të lartë të botës së madhe të turizmit.
Në këtë aspekt, theksoi Rama:
“Vjosa dhe Parku Kombëtar është për ne njëkohësisht edhe një shkollë shumë e rëndësishme për të kuptuar dhe për të mësuar hap pas hapi sesi këto të dyja mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Sesi ne duhet t’i japim një perspektivë komuniteteve që jetojnë tanimë në kufijtë e këtij Parku Kombëtar, ose pranë kufirit të këtij Parku Kombëtar për të kuptuar që zhvillimet nuk janë të pamundura, por duhen bërë me një sens krejt të ri dhe krejt largpamës të luksit. Ne na duhet turizmi i luksit, na duhet për njerëzit e zakonshëm, sepse është përmes turizmit të luksit që njerëzit e zakonshëm, që prodhuesit e vegjël, që shërbimet marrin dhe të ardhurat më të mëdha”.