Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, DHSK në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Me fillim të seancës, mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts ngriti një çështje sa i përket vendimit për kushtet e paraburgimit.
Ndonëse ka vendim që mund të lejohen telefonatat, Mbrojtja e Veselit dhe Thaçit thanë se kërkesat e tyre janë duke u refuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Janë bërë disa kërkesa për telefonata me anëtarët e familjes dhe janë refuzuar momentalisht. Pra, deri tani nuk janë lejuar telefonatat me familjen qofshin edhe të monitoruara”, tha mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.
Ndërsa, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe tha se as klientit të tij nuk po iu lejohen telefonatat.
“Kam dhe unë nevojë të mbështesë atë që tha z.Emmerson sa i takon klientit tim, nuk janë lejuar telefonatat”,tha Keohe.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se mund të ketë pasur ndonjë keqkuptim.
“Në rregull e kuptoj, mbase ka pasur ndonjë keqkuptim dhe unë i kërkoj ndjesë për këtë dhe unë do ta trajtoj këtë aspekt gjatë ditës së sotme”, tha Smith III.
Vlen të theksohet se çështja të cilën e ngriti mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Geoffrey Roberts kishte të bënte me atë se kur do të zbatohet ky vendim.
“E vërejmë që kolegu ynë Keohe ka ngritur një cështje sa i përket kushteve të paraburgimit i cili ende nuk është zbatuar, a mund të na thotë diçka Zyra administrative kur do të zbatohet ky vendim dhe çfarë problematikash ka pasur për ta zbatuar këtë vendim”, tha Roberts.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se janë takuar me zyrën administrative dhe po bëjnë të pamundurën që të zbatohet ky urdhër. Ai tutje shtoi se telefonatat mund të realizohen.
“Takuam dje zyrën administrative, po bëjnë të pamundurën për ta zbatuar këtë urdhër. Sa i takon telefonatave në familje ato do të monitorohen deri sa të dal një urdhër i ri”, tha Smith III.
Roberts tha se e kupton këtë gjë duke theksuar që klienti i tij e ka realizuar telefonatën e fundit të dielën.
“E kuptoj, por ama nuk kanë folur që të dielën. Të dielën ka qenë telefonata e fundit”, tha Roberts.
Para se të reagonin avokatët Keohe dhe Emmerson, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se duhet të bëjnë një kërkesë dhe do t’iu lejohen telefonatat.
“Pyeta dje, dhe administratorja me tha thjeshtë duhet të bëjnë një kërkesë dhe do ta leojojnë”,tha Smith III.
Duke u përgjigjur në pyetjen e Roberts se kur do të zbatohet pjesa e mbetur e vendimit, Smith III tha se do të synojnë që ta realizojnë përpara pushimit të krishtlindjeve.
“Po mundohem të kujtoj se çfarë thash tani, por besoj se brenda javës tjetër, po bëjnë organizimet e nevojshme dhe po bëjnë që të kuptojnë të gjitha pjesët organizative për këtë situatë të re. Janë duke punuar dhe do të zbatohet shumë shpejt. Datën fikëse nuk ta jap dot por e di ë synojnë ta realizojnë apo ta zbatojnë përpara pushimit të Krishtlindjeve. Ju thash edhe njëherë, telefonatat private lejohen por për momentin do të monitorohen”, tha Smith III.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë dalë me vendim përfundimtar lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për ndalimin e komunikimeve dhe vizitave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, si të akuzuar nga kjo Gjykatë për krime lufte. Në mesin e rregullave strikte që u janë vënë për komunikimet dhe vizitat, tre të akuzuarve iu ndalohet të përdorin pëshpëritje apo kode gjatë komunikimit.
Në vendim e marrë më 1 dhjetor 2023, thuhet se Paneli i gjyqtarëve në krye me gjyqtarin Charles Smith III, kanë aprovuar pjesërisht kërkesën e ZPS-së, si dhe është udhëzuar sekretari që të marrë masa dhe të zbatojë modifikimet e kushteve të paraburgimit.
Përmes këtij vendimi, Paneli i gjyqtarëve nuk ka ndaluar vizitat për tre të akuzuarit, mirëpo ka treguar se për realizimin e tyre duhet të kërkohet miratimi paraprak nga sekretari.
Paneli ka konstatuar se duhet të vendoset një sistem, i cili fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e atyre individëve që mund të paraqesin kërcënim për integritetin e procedurave. Në bazë të kësaj, Paneli thekson se tre të akuzuarit nuk duhet të takohen me më shumë se një vizitor në çdo kohë me disa përjashtime.
Ky vendim, urdhëron Qendrën e Paraburgimit në Hagë që zona e vizitave duhet të jetë e lirë nga muzika ose çfarëdo zhurmë që mund ta dëmtojnë dëgjimin. Po ashtu, 3 të akuzuarve iu ndalohet të përdorin pëshpëritje apo kode gjatë komunikimit.
Ndërsa, kërkesën për ndarjen e tre të akuzuarve dhe ndërprerjen e kontakteve me të paraburgosurit tjerë, Paneli e ka konsideruar si të panevojshme.
Prandaj, në këtë fazë, Paneli thekson se nuk është i bindur se masat e ndarjes do të ishin të nevojshme dhe/ose proporcionale bazuar në informacionin që është aktualisht para Panelit.
Kurse, për vizitat konsullore, Paneli ka urdhëruar që t’iu nënshtrohen të njëjtave kërkesa si për vizitat e paprivilegjuara. Po ashtu, theksohet se vizitat konsullore tek cilido nga tre të akuzuarit nuk do të zgjasin më shumë se 45 minuta.
Me anë të këtij vendimi, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se monitorimi aktiv i të gjitha takimeve jo të privilegjuara personalisht me përjashtim të vizitave konsullore me autorizimin e duhur ndërmjet 3 të akuzuarve dhe vizitorëve të tyre është i nevojshëm për të adresuar shqetësimet e ngritura nga ZSP-ja. Që kjo masë të jetë efektive, Paneli thekson se këto vizita duhet të monitorohen nga një shqipfolës.
Po ashtu, edhe për vizitat dhe komunikimet me video dhe ato telefonike me 3 të akuzuarit, duhet të kërkohet miratim nga sekretaria, të cilët janë urdhëruar që të bëjnë monitorim aktiv.
Gjykata ka vënë edhe kushte shtesë për vizitat dhe komunikimet me video apo audio-lidhje me palë të 3-ta.
“Asnjë individ i palajmëruar nuk do të marrë pjesë në thirrje, asnjë person nuk do të lejohet të dëgjojë në mënyrë pasive thirrjen ose të marrë përndryshe përmbajtjen e thirrjes dëgjimore ose tekstuale, përveç individit të shpallur. Përdorimi i altoparlantit-telefonit ose funksione të ngjashme është i ndaluar; (iv) përdorimi i gjuhës së koduar është i ndaluar; i paraburgosuri, si dhe kushdo që komunikon me të paraburgosurin, i ndalohet të bëjë regjistrime audio ose video të vizitave dhe komunikimeve. Në ushtrimin e diskrecionit të saj dhe për të garantuar monitorimin efektiv të komunikimeve të tilla, Sekretarja sipas gjykimit të saj mund të kufizojë numrin e thirrjeve/videove dhe/ose kohëzgjatjen e tyre. Çdo vendim i tillë do t’i vihet menjëherë në vëmendje Panelit”,
thuhet në vendim, sa i përket kushteve për vizitat dhe komunikimet me video apo audio-lidhje.
Tutje, thuhet se Paneli do t’i shqyrtojë kushtet e paraburgimit të përmendura këtu ose proprio motu çdo gjashtë muaj.
Me anë të këtij vendimi të datës 1 dhjetor 2023, Paneli gjithashtu ka refuzuar, të miratojë çfarëdo mase kufizuese në lidhje me vizitat private, pasi thuhet se nuk ka asnjë tregues që ato janë përdorur për sjellje joadekuate deri më tani.
Përmes ëtij vendimi, Paneli thekson se ekziston një klimë e përgjithshme e ndërhyrjes së dëshmitarëve e cila po vazhdon në Kosovë ashtu si në këtë rast edhe në raste të tjera.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.