Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit PISA, ku Kosova është ranguar më keq se në vitin 2014 e 2018, përcjell InLajmi.
Sipas Krasniqit rezultatet e testit PISA, tregojnë rënien drastike të cilësisë në arsim.
Ai tha se renditja e Kosovës në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse në testin PISA, është fakt i dhimbshëm e tmerrues.
Krasniqi, shprehet se analfabetizmi qeveritar ka prekur dhe po shkatërron shkollat e Kosovës.
Ndërkohë kritikon qeverisjen akuale meqë tha ai se qëllimi i saj nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë.
Postimi i plotë i tij:
Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018.
Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!
Në secilën fushë ka rënie drastike të pikëve, krahasuar me vitin 2014 dhe vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit testi PISA.
Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!/InLajmi/