Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj vrasjes së Liridona Ademajt duke e cilësuar si një krim monstruoz, përcjell InLajmi.
Në reagimin e saj, Osmani shprehet se kjo ngjarje është një dëshmi e jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë dhe e konsideron këtë gjë si një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Më tutje ajo bën thirrje që të forcohet zbatimi i ligjit dhe të ketë veprim sa më të shpejtë për tu siguruar që drejtësia mbizotëron. Osmani gjithashtu ka shprehur edhe ngushëllimet për familjen e Liridonës.
Postimi i plotë:
Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.
Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.
Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme. / InLajmi /