Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar homazhe me rastin e 25 vjetorit të vrasjes së tre veprimtarëve për lirinë e Kosovës, Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi, përcjell InLajmi.
Kurti u shpreh se këto homazhe u kryen në vendin në të cilin ata u vranë në një aksion të kryer nga policia speciale e Serbisë. Më tutje ai gjithashtu shprehet se këta veprimtarë u angazhuan me tërë qenien e tyre për lirinë që tashmë jemi duke shijuar.
Postimi i tij i plotë:
Në kujtim të Hyzri Tallës, Afrim Maliqit dhe Ilir Durmishit
Sot janë bërë 25 vite nga dita kur u vranë tre veprimtarë të angazhuar për lirinë e Kosovës: Hyzri Talla – luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; Afrim Maliqi – gazetar, eseist dhe poet; si dhe Ilir Durmishi – ushtar i shquar i UÇK-së.
Për t’i kujtuar këta tre dëshmorë që 25 vite më parë u vranë teksa po e shtronin rrugën e lirisë së Kosovës dhe njëkohshëm po ecnin nëpër të, sot bëmë homazhe në vendin e rënies së tyre, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Më 2 dhjetor 1998, këta tre veprimtarë nga Llapi, po e kryenin detyrën e radhës në Prishtinë, mes aktiviteteve të tyre ilegale për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore. Hyzriu, Afrimi dhe Iliri teksa po lëviznin së bashku në një veturë, rreth orës 16:45, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, u sulmuan duke u atentatuar nga policë specialë të Serbisë (SAJ), që u kishin rënë në gjurmë dhe e kishin përgatitur këtë aksion. Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi ranë dëshmorë për çlirimin e Kosovës, të angazhuar me tërë qenien për lirinë të cilën ne të gjallët dhe brezat e mëpastajmë e jetojmë dhe gëzojmë.
Lavdi Hyzri Tallës, Afrim Maliqit dhe Ilir Durmishit, sot në 25 vjetorine rënies së tyre dhe nderime për veprat e tyre të çmuara në historinë moderne të Kosovës! / InLajmi /