Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga familjar e anëtarë të partisë, vizituan familjen e ish presidentit Ibrahim Rugova, përcjell InLajmi.
Abdixhiku tha se zonja e shtëpisë Fana Rugova kishte përgatitur ëmbëlsirën e preferuar të ish presidentit, tiramisunë, ëmbëlsirë të cilën e kishin provuar për herë të parë në Romë.
Kryetari aktual i LDK-së e konsideroi Rugovën si prijës historik të lëvizjes për liri. Më tutje ai u shpreh se historia e ish presidentit shërben jo vetëm si rikujtim por edhe si detyrim i rrugëtimit përpara.
Në këtë vizitë të pranishëm ishin edhe studentë nga shkolla politike e krijuar nga kjo parti që mban emrin “Ibrahim Rugova”.
Postimi i plotë:
Për të na pritur sa më ngrohtë, si një zonjë shtëpie e vërtetë, Fana Rugova kishte përgatitur edhe këtë vit ëmbëlsirën e saj Tiramisu. Atë të preferuarën e Presidentit. Atë që e kishin shijuar për herë të parë në Romë.
Këtë ëmbëlsirë ajo merr mundin ta bëj çdo 2 dhjetor, në ditën e lindjes së Presidentit Rugova. Këtë ëmbëlsirë e kishte bërë edhe këtë herë.
Sot, me Albinën, Erën e Rozin, vizituam familjen Rugova. U pritëm nga zonja Fana, Uka, Mendimi e Teuta. Rikujtuam jetën e shqiptarit më të madh; atit themeltar të Republikës e prijësit historik të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, i cili lindi 79 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944.
Këtë herë, vizita jonë ishte edhe më e veçantë, sepse u shoqëruam nga klasa e parë e gjeneratës së parë të Shkollës Politike. Ata nga afër panë vet historinë. Atë që bëri lirinë, shtetësinë e vet demokracinë.
Kjo histori na qëndron sot jo vetëm si rikujtim i madhështisë, por edhe si detyrim i rrugëtimit tonë përpara.
Presidenti ka vetëm ditëlindje!
Prandaj gjithë rugovistëve, urime kjo datë e ditë! /InLajmi/