Historia pranisë së forcave speciale ruse në Bosnje është pranuar nga ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez.
Kjo është arsyeja pse agjenda e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës përfshin informacione rreth kampeve të mundshme në territorin e Republikës Serpska, si dhe grupeve paraushtarake dhe celulave terroriste.
“Është gjithmonë informacion i mbrojtur. Për to nuk flitet publikisht, sepse kushedi se çfarë lloj veprimesh po ndodhin”, tha kryetari i Presidencës së B-H, Zheljko Komshiç, pasi njeriu i parë i mbrojtjes Helez bëri pretendime për ekzistencën e kampeve stërvitore në territorin e RS, të cilat kontrollohen nga rusët.
“148 forca speciale ruse dhe oficerë të inteligjencës kanë ardhur në territorin e Republikës Srpska, RS, në Bosnjë-Hercegovinë. Forcat speciale janë të vendosura në tri hotele në zonën e Laktashit, ndërsa një pjesë e forcave speciale ruse është vendosur në Qendrën e Trajnimit të Forcave Policore të MPB-së së Republikës Srpska në Pale” ka thënë ministri i Mbrojtjes.
Policia Kufitare, konfirmoi se 144 shtetas rusë kanë hyrë në Bosnjë-Hercegovinë, “por kanë plotësuar kushtet e nevojshme për të hyrë në B-H, nuk kanë veshur uniforma dhe shenja ushtarake, e në mesin e tyre ka gra dhe burra të moshave të ndryshme”.
Kampet stërvitore ruse në Republikën Serpska ose forcat paralele të vendeve të tjera që veprojnë në Bosnjë Hercegovinë janë pohime nga ministri i Mbrojtjes Helez, në një paraqitje në televizionin N1.
“Ne kemi të dhëna se ku zhvillohet trajnimi në territorin e Republikës Srpska”, tha Helez, duke përmendur përveç njerëzve nga Rusia edhe strukturat paralele ushtarake që do të ndihmojnë Bosnjë-Hercegovinën.
Nga policia e RS, ata hedhin poshtë pretendimet se ka kampe të paligjshme stërvitore në territorin e saj. Deklarata të tilla, paralajmëron Policia e RS, dëmtojnë seriozisht situatën e sigurisë.
“Politika të tilla ekstreme, radikale, të dhunshme, çojnë në terrorizëm. Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës dhe sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës”, thotë ministri i Punëve të Brendshme të RS, Sinisha Karan.
E gjithë kjo, përveç reagimeve politike, ka alarmuar edhe Prokurorinë e Shtetit, e cila ka hapur një rast të veçantë, shkruan Euronews.al.
“Në kuadër të rastit, ministri do të ftohet të dëshmojë dhe të paraqesë të gjitha informacionet, provat dhe faktet që disponon. Kujtojmë se të gjitha institucionet, bartësit e funksioneve, si dhe qytetarët kanë detyrim ligjor që të raportojnë në institucionet kompetente të gjitha informacionet për veprat e kryera kriminale, si dhe për autorët”, njofton Prokuroria.