Në kuadër të konferencës së KDI-së u zhvillua paneli i parë i diskutimit ku tema ishte “Transparenca dhe llogaridhënia e financave të subjekteve politike” në të cilën morën pjesë deputetë të partive politike në Kosovë, raporton InLajmi.
Një nga pjesëmarrset në këtë tryezë diskutimi, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha vuri theksin në barazinë gjinore që duhet të ketë në shpërndarjen e financave brenda partive politike. Ndërkohë ajo gjithashtu tha se fushatën e ka zhvilluar me financat e saj.
“Fushatën e kam zhvilluar vetë me financat e mia dhe as nuk e kam ditur se a duhet që të kem financa nga partia ime. Nëse flasim në përgjithësi PDK-ja del me pasqyra të mira nga auditorët e pavarur. Mendoj që duhet të punohet tutje në transparencë të financimit të partive politike. Problemi qëndron që përtej ligjit ka agjenda të porositura. Në ligjin e ri edhe lista zgjedhore do të jetë me e gjere. Do të ketë më shumë gra. Unë si grua çka mund të them jeta ime në politik është me e varfër dhe më pak të hyra vjetore”. tha ajo
Ndërkohë, deputeti i LDK-së Armend Zemaj, tha se ndonëse financimi bëhet sipas legjislacionit, raportimi i duhur ka probleme. Gjithashtu ai tha se duhet që diskutimi të përqëndrohet edhe te financimi i jashtëm.
“Në aspektin e përgjithshëm mendoj se Kosova ka progres në këtë temë. Mendoj që financimi, shpenzim dhe raportimet, që të tirja i kanë anët pozitive dhe negative. Te financim ka pasur angazhim që kjo të jetë strikt sipas legjislacionit. Te raportimi gjithmonë ka pasur çalim. Pjesa me kryesore që duhet të fokusohemi është financimi i jashtëm, me vjen keq që partia e 51 për qindshit nuk është këtu”. tha Zemaj
Më tutje, Besnik Tahiri, deputeti i AAK-së, u shpreh se duhet që ti jepet kohë ligjit aktual deri në zgjedhjet e ardhshme për të parë se cilat janë ndryshimet e nevojshme. Gjithashtu Tahiri u shpreh se nëse nuk ka buxhet atëherë një individ nuk mund të zgjidhet si deputet.
“Duhet që të ja lajmë pak një kohë këtij ligji dhe me pa si po shkon zbatimi.Pas këtyre zgjedhjeve duhet që të shihet se a duhet të ndryshohet diçka në këtë ligj. Nëse nuk ke buxhet nuk ke si zgjidhesh, politika e shkuarjes në teren është tepër e nevojshme. S’ka shans teorike pa një buxhet që të zgjidhesh deputet”, tha ai.
Në përgjithësi gjatë këtij diskutimi, të pranishmit ranë dakord për rëndësinë që ka transparenca nga partitë politike në lidhje me financimin./InLajmi/