Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i prerë në qëndrimin e tij sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë më 17 dhjetor.
Ai, i ka shkruar letër misionit të OSBE-së, që për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës duhet të ketë një marrëveshje siç e ka quajtur ai “një marrëveshje speciale” dhe se kjo kërkesë duhet të vjen drejtpërsëdrejti nga Serbia; dhe e cila në atë kërkesë “duhet të ketë në bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si një shtet i pavarur”.
Kjo letër e kryeministrit Kurti i është dërguar shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport rreth një javë më parë.
Por, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje për Front Online se a kanë marrë ndonjë përgjigje nga ky mision dhe se si do të organizohen zgjedhjet e 17 dhjetorit për serbët e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë që t’i referohemi një deklaratë të zv.kryeministrit Besnik Bislimi.
Bislimi të enjten në platformën “X” ka thënë se tentimi për të organizuar zgjedhje të një shteti tjetër në Kosovë pa një kërkesë paraprake, nuk është në frymë të dialogut.
Ai ka thënë se përderisa nuk ka kërkesë zyrtare direkte nga Serbia, atëherë s’mund të ketë vendim.
Front Online për këtë çështje ka pyetur edhe Bashkimin Evropian.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka deklaruar për Front Online se se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Stano ka deklaruar se presin që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.