Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Besnik Tahiri, në seancën plenare është shprehur se vlerësimi i Komisionit Evropian për Kosovën është më i dobëti që një qeveri e ka marrë ndonjëherë, raporton InLajmi.
Ai theksoi se problem në vete janë angazhimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi i cili në supe bartë edhe procesin e integrimit.
Ndërsa shpalosi të gjeturat e raportit për Kosovën, Tahiri theksoi se raporti i KE-së është më kritiku deri më tani.
“Ky është raporti më i ashpri, me fjalët më të rrepta që është marrë. Propozojmë që Bislimi ta dorëzojë agjendën e integrimeve te një ministër, sepse ai nuk ka kohë, duke u marrë me detyrën kryesore, dialogun me Serbinë. Në raport theksohet 32 herë mungesa e progresit. 49 herë theksohet se ka progres të mangët, 59 herë që ka njëfarë progresi, 42 herë që është bërë progres dhe 15 herë aspekte të tjera, ndërkaq vetëm 8 herë theksohet se ka progres të mirë”, deklaroi Tahiri, ndërsa theksoi se ky raport paraqet vetëm regresin.
“Ky vlerësim ka dhënë një diagnozë për qeverinë në raport me integrimet. Është regres, dështim dhe paaftësi për të qeverisur”, u shpreh Tahiri./InLajmi/