Podujeva është bërë qyteti i parë me shtatore të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi. Djali i tij, Shqiptar Demaçi, i ka uruar dhe përgëzuar qytetarët e Podujevës për shtatoren, përcjell InLajmi.
Demaçi ka uruar që të finalizohet përfundimi i shtatores së babait të tij edhe në Prishtinë, pasi siç shprehet, projekti ka nisur që 4-tër vjet.
Postimi i plotë i tij:
Falenderim!
Urime ngritja e shtatores së Adem Demaçit në Podujevë, duke e falenderuar Kryeministër Kurtin e aktivin e qeverisë së Kosovës prezent sot në përurim si dhe kryetarin e Komunës Shpejtim Bulliqin dhe të gjithë qytetarët e veprimtarët e shquar shoqëror prezent( veçoj ish Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Ambasadorin e Shqipërisë Petrit Malaj).
Me ngritjen e shtatores së babës, Ademit, i përgëzoj e Falenderoj qytetarët e Podujevës dhe regjionin e Llapit, në qytetin ku i ka fijet jo vetëm shpirtërore e artistike, por fizike e politike!
Sot, Podujeva e nderoi Adem Demaçin dhe veten! Por, pokështu presim që të përfundojë projekti i nisur që katër vjet për shtatoren e Ademit në vendlindje Prishtinë!
Falenderoj qytetarët e veprimtarët e shumtë për idenë, ndërsa Komunën e Podujevës me Drejtorinë për Kulturë e Sport me drejtorin Pajtim Balajn, për realizimin e saj, me zyrtarët e saj veç e veç!
E përgëzoj skulptorin e zellshëm Agron Blakçorin i cili pas fitimit të konkursit komunal e realizoi shtatoren me aq përkushtim si dhe punëtorinë (Fonderi Arti) e bronzit të tre vëllezërve dibranë Nurçja, që jetojnë e punojnë në Kosovë!
I uroj familjarët e ngushtë e të gjerë, veçanërisht familjen e hallës, motrës së babës e familjen e dajëve e nipave të tij nga Gllamniku e kushërinjtë nga Lupçi. Këtu falenderim i veçantë Dajës Halim Lahut prof.i artit i cili nuk e la rehat skulptorin për detajet e shtatores e veçanërisht të kokës e fytyrës!
Urime Festa e Flamurit 28 Nëntori! Festofshim gjithherë, të bashkuar dhe në kohëra të mira /InLajmi/