Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj, të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë që asnjëherë nuk ka qenë në Kukës dhe se nuk ka qenë motër medicinale.
Avokati Jean-Louis Gilissen i tha dëshmitares së në dosjen e cila tani është duke u trajtuar, kanë prova që e nxjerrin atë në Kukës.
“E thash në fillim dhe është një deklaratë nën betim dhe po e them nën betim se kurrë, kurrë, kurrë në jetën time, asnjëherë nuk kam qenë në Kukës”, tha dëshmitarja, raporton Betimi për Drejtësi.
Kurse, e pyetur se a ka pasur ndonjë aftësim mjekësor ose ka ofruar ndonjëherë ndihmë mjekësore, Hadergjonaj tha se kurrë nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Unë as para luftës, as gjatë luftës, as pas luftës, asnjë trajnim nuk e kam bërë për shëndetësi, unë jam ekonomiste. Unë e kam bërë shkollën për ekonomi dhe paslufte kam bërë trajnime për ekonomi. Unë krejt çka kuptoj prej mjekësisë është me pi paracetamola kur më dhemb krytë dhe nëse nuk më kalon me ikë te mjeku”, tha Hadergjonaj.
Ajo tha se edhe në shtabet ku kanë qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë.
“Asnjëherë në asnjë shtab se unë nuk kam qenë në Kosovë”, tha dëshmitarja Hadergjonaj, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me profesionin e mjekut.
Pas kësaj, me kërkesën e avokatit Gilissen, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se duhet identifikim i një personi nga Safete Hadergjonaj.