Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e kësaj të hëne, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.
Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget në foltore, ndërsa janë përplasur fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.
As kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës të merrnin edhe këtë seancë flakadanët, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare.
Situata u bë më kaotike kur njëri prej flakadanëve mori flakë, i cili u fik nga punonjësit e Gardës.
Deputetët e opozitës kundërshtuan vendosjen e Gardës në Kuvend, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha hyri live në Facebook.
Berisha live në Facebook: Buxheti i vjedhjes më të madhe të tyre, buxheti i gjobës ndaj shqiptarëve, i shpërdorimit, i rrugëve të cilat kushtojnë 12 mln euro kilometri, buxheti i ppp-ve. Sot në parlament janë 1340 gardistë brenda në ambientet përreth, Renea-s dhe forcat speciale. Opozita do të qendorë e pamposhtur në mbrojtje të të drejtave legjitime për të hetuar qeveritarët hajdutë që me vendimet e tyre kanë vjedhur dhe do vijojnë të vjedhin.
Noka: Po përdorni Gardën mish për top, nuk mbroheni ju me gardistë, shkruan Top Channel.
Mes kaosit dhe debateve maxhorancë-opozitë, “Projekt Buxheti 2024” u miratua në parim me 73 vota pro.