Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, tha se më shumë se 63 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 për mbulimin e energjisë së shpenzuar në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, raporton InLajmi.
Tutje tha Mehmeti se në total për vitet 2021-2022, shuma e paguar për veriun arrin në 113 milionë euro.
“Një ndër sfidat kryesore që është jashtë kontrollit të KOSTT-it është mbulimi i humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës. KEDS dhe KESCO kanë refuzuar faturat për muajt korrik, gusht dhe shtator për vitin 2022 dhe KOSTT-i ka ngrotur kontest në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ku vlera e faturave të kontestuar është 18.7 milionë euro”, tha Mehmeti.
Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputeti Avdullah Hoti se sa është shuma e paguar për energjinë në veri gjatë 2 viteve të fundit Mehmeti tha se për vitin e kaluar janë ndarë 40 milionë.
“Nëse e shohim se vitin e kaluar janë ndarë 63 milionë euro e në vitin 2021 janë ndarë rreth 40 milionë euro që vlera totale është 90 deri në 110 milionë euro për 2 vite dhe se të gjitha pagesat për veriun janë paguar nga Qeveria”, u përgjigj Mehmeti.
Kritika për pagesat në veri të vendit, pat edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
“Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë humbjet në veri dhe ajo që dua ta theksoj se edhe ish-qeveritë kanë paguar por në një shumë më të vogël dhe më kujtohet se në kohën e ish-qeverisë Haradinaj janë ndarë 1 milion euro dhe VV-ja sa ishte në opozita nuk ka lënë gjë pa thënë”, u shpreh Lekaj.