Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me Kryesinë e partisë, me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.
Në këto takime, temë diskutimi ishte edhe draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili së fundmi u pranua nga kryeminstri Kurti.
Krasniqi tha se përmbajtja e këtij draft-statuti duhet t’iu tregohet deputetëve.
“Ai tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë”,ka bërë të ditur PDK përmes një komunikate.
Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës, shkruan Lajmi.net.
Ai ka folur edhe për takimin me emisarin e BE-së Lajçak, të cilit ka thënë se i ka kërkuar që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Kosovës.