Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë turke dhe atë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 10 nëntor.
10 Nëntor 1938 – Lideri i Luftës Çlirimtare Turke, themeluesi dhe Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, u nda nga jeta në orën 9:05 me kohën lokale, në Pallatin “Dolmabahçe”, në moshën 57-vjeçare. Në Turqi u shpall zi kombëtare. Më datë 16 nëntor, arkivoli i Ataturkut u vendos në sallën e madhe ceremoniale të Pallatit “Dolmabahçe”, mbi një katafalk të mbuluar me flamurin turk. Qytetarët që dëshironin ta shikonin për herë fundit liderin e madh dhe babanë e kombit turk, u dyndën në “Dolmabahçe”.
10 Nëntor 1953 – Plot 15 vite pas vdekjes së tij, mbetjet mortore të Ataturkut u transferuan në Varrin Monumental (Anitkabir), ndërtimi i të cilit zgjati 9 vjet. Në ceremoni, krahas Presidentit Celal Bayar dhe parisë së shtetit, ishin të pranishëm edhe dhjetëra-mijëra qytetarë turq. Për të marrë pjesë në këtë ceremoni madhështore, në Ankara erdhën gjithashtu shumë kryetarë shtetesh e qeverish nga vende të ndryshme të botës.
10 Nëntor 1965 – Në Kinë filloi “Revolucioni Kulturor”, një simbol i periudhës së Maos. Ai rezultoi me vdekjen e mijëra njerëzve.
10 Nëntor 1970 – Bashkimi Sovjetik lëshoi në hapësirë mjetin robotik hënor “Lunokhod 1”. Ai ishte roboti i parë i telekomanduar nga Toka mbi sipërfaqen e Hënës.
10 Nëntor 1989 – Presidenti i Bullgarisë, Todor Zhivkov, u detyrua të japë dorëheqjen pas reagimeve të fuqishme nga mbarë bota për keqtrajtimin e komunitetit turk në vendin e tij.
10 Nëntor 1996 – Qindra-mijëra njerëz u mblodhën në Ankara dhe marshuan drejt Varrit Monumental të Ataturkut në shenjë mirënjohjeje për themeluesin e Republikës së Turqisë në 58-vjetorin e vdekjes së tij. Numri i vizitorëve të Varrit Monumental arriti në mbi 1 milion duke thyer rekord historik. Për shkak të intensitetit të vizitorëve, drejtoria e këtij monumenti lejoi për herë të parë hyrjen e qytetarëve edhe gjatë natës.