Telegrafi të hënën raportoi se drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, e ka njoftuar opozitën se mund të jenë cak i sulmeve të caktuara. Andaj për këtë, është rekomanduar mbrojtja e afërt.
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, vlerëson se nëse këto kërcënime vijnë nga Serbia, qëllimi i tyre është që të përkeqësojnë situatën politike në Kosovë.
Në një prononcim për Telegrafin, Tërnava ka theksuar se situatat politike konfliktuoze që po zgjasin me vite të tëra që pas luftës e deri më tani nga Serbia ndaj Kosovës e që u dëshmua me sulmin terrorist të Serbisë ndaj territorit të Kosovës më 24 shtator, më bënë të kuptoj që kërcënimet e tilla sikur që po ndodhin ndaj prijësve të partive politike sikur në këtë rast, janë luftë speciale e kohës, për ti arritur qëllimet e tyre ata që i bëjnë këto kërcënime.
“Këto kërcënime sikur po vërehen e kanë edhe prapavijë e tyre që nëse vijnë nga Serbia, qëllimi i tyre është që ta përkeqësojnë situatën politike në Kosovë mes partive ekzistuese, sepse sikur që dihet Vuçiqi disa herë është deklaruar se e ka të vështirë që të bashkëpunoj me kryeministrin Kurti për çështjet që tani janë aktuale”, ka thënë Tërnava.
Ai ka shtuar se shërbimet ekzistuese duhet t’i kryejnë obligimet e tyre të përditshme dhe t’i zbulojnë ata kërcënues terroristë dhe të marrin masa ndaj tyre gjithnjë edhe duke bashkëpunuar me ndërkombëtarët si dhe shërbimet profesionale si me KFOR-in dhe INTERPOL-in.
Tërnava ka theksuar se institucionet e sigurisë, policia dhe AKI-ja duhet të merren me zbardhjen e këtyre kërcënimeve.
“Duke pasur parasysh se shteti i Kosovës tani i ka institucionet profesionale të policisë dhe shërbimet sekrete siç është AKI, tani këto shërbime duhet të merren me zbardhjen e këtyre kërcënimeve, dhe nëse vlerësohen si të vërteta ato kërcënime, ata duhet t’iu qëndrojnë pranë të kërcënuarave në mbrojtje të tyre, dhe të punojnë në zbardhjen e atyre kërcënimeve nga kush vijnë ato, kush janë autorët dhe ndaj atyre personave të ndermirën masa ligjore”, u shpreh eksperti i sigurisë.
Tërnava tutje ka shtuar se situata politike tani në Kosovë dhe ajo që po mbretëron në regjion dhe botë, e imponon një pajtim të mundshëm me ndihmën e ndërkombëtarëve e sidomos jetësimit të marrëveshjes së Ohrit të arritur më parë.
Lidhur me këto kërcënime sot është deklaruar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk është ndjerë i kërcënuar edhe kur kanë rrjedh informacione për vrasje.
“Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar edhe kur na ka rrjedh informacion për kërcënime me vrasje edhe para pak muajsh. Por, ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye besoj që ata duhet të tregojnë, besoj që lidhet me situatën e tensionuar dhe të përkeqësuar pas sulmeve në veri të vendit”, ka thënë Krasniqi.
E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se Abdixhiku iu ka besuar vlerësimeve të organeve të shtetit, mirëpo siç tha ai, i pari i LDK-së nuk e ka ndërprerë agjendën e tij.
“I ka besu vlerësimeve të organeve të shtetit, dhe po sillet karshi atij vlerësimi. Nuk ka ndërpre asgjë në agjendën edhe në rutinën e tij. Policia ka kapacitete profesionale me siguru, vetëm është rrit kujdesi i organeve të sigurisë. Pasiguri juridike ka në Kosovë dhe kjo është më problematike dhe na shqetëson si LDK më shumë”, ka thënë Haziri.
Ndryshe edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar sot për Telegrafin se u ka ofruar mbrojtje krerëve të partive opozitare PDK, LDK dhe politikanëve tjerë.
“Policia e Kosovës në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore që ka, bënë edhe vlerësimin e sigurisë së personaliteteve të rëndësisë së veçantë dhe varësisht nga informacionet apo të gjeturat ndërmerr masat për ofrimin e sigurisë. Në këtë rast edhe ndaj personaliteteve në fjalë ka ndërmarrë masa për ofrimin e sigurisë dhe të njëjtëve sipas vlerësimit iu është ofruar siguri”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Policia e Kosovës