Minatorët e Trepçës pas 10-të ditë greve kanë ndërprerë këtë të fundit. Pikërisht në ditën e 10-të të tyre të grevës opozita në seancën e Kuvendit e mbajtur të enjten kërkoi miratimin e rezolutës për kërkesat e minatorëve.
Por, të njëjtën nuk e përkrahu pushteti.
E, vetëm disa orë më vonë, pas mesnate minatorët arritën marrëveshje me pushtetin.
Për, këtë deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në një intervistë për Front Online, ka deklaruar se pushtetarët janë njerëz të natës dhe nëntokës, por jo të nëntokës së minatorëve, por të një nëntoke tjetër.
“Dashtë Zoti që nuk janë sikur premtimet e 14 shkurtit të vitit 2021. Është shumë mirë që minatorët kanë dal nga minierat, kanë dalë nga horizontet sepse është çështje shumë e rëndë të qëndrosh tetë orë e le të qëndrosh një javë ditë atje dhe po shihet që këta janë të natës, këta janë të nëntokës, jo asaj nëntoke të minatorëve por të kësaj nëntokës tjetër sepse kanë dalë afera të ndryshme siç është “Zdravo” e të tjera me ata që kanë komuniku që tash janë në listë si terroristë, si kriminel”,ka deklaruar ai.
Ndërsa, thotë se shpreson që edhe marrëveshja e arritur me minatorët mos të jetë mashtrim i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është mirë që është arrit një marrëveshje, po shpresoj që do të realizohet ajo marrëveshje dhe nuk është një mashtrim i radhës sikur shumë mashtrime që i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në këtë rast. Ne pikërisht presioni ynë e kishte këtë qëllim që minatorët të dalin prej zgafelleve, të dalin prej horizonteve dhe të ketë një marrëveshje”, ka shtuar deputeti Reçica.