Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për Projekt Buxhetin e vitit 2024, ndërsa është shprehur se buxhetet e kësaj qeverie janë bërë dokumente abstrakte të padobishme, përcjell InLajmi.
Ai, thekson se pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen.
Hoti tha se në 3 vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset.
Më tutje Hoti thotë se problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna.
Ndërkohë ai flet edhe për rritjen ekonomike që sipas tij duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale.
Postimi i plotë i tij:
Do ta analizojmë projekt-buxhetin për 2024 në ditët në vijim. Por problemi është se buxhetet e kësaj qeverie janë bërë dokumente abstrakte të padobishme. Pavarësisht se mund të parashihen projekte në buxhet, ato nuk po realizohen. Në tri vitet e fundit janë menaxhuar 8.63 miliardë euro, por nuk ka asnjë projekt madhor që mund të shihet dhe të shfrytëzohet nga qytetarët dhe bizneset. Nuk ka asnjë projekt madhor që së paku ka nisur të realizohet.
Grantet e ndara për komuna bëhen sipas formulës së ligjit të buxhetit. Problemi tek buxheti i komunave lidhet me shpërndarjen e projekteve të ministrive nëpër komuna. Përvoja në këto 3 vite të qeverisjes së koalicionit VV-Guxo nuk është e mirë. Vitin e kaluar, gjysma e projekteve të reja të futura në buxhet kanë shkuar vetëm për komuna që ‘rastësisë’ të qeverisen nga VV-Guxo.
Problem madhor i buxhetit në këto 3 vite është përkeqësimi i strukturës së buxhetit. Investimet kapitale kanë rënë në nivele shumë të ulëta, si në planifikim, ashtu edhe në realizim. E në anën tjetër, buxheti për skema sociale po rritet vazhdimisht, që është e pakuptimtë nëse thuhet se ka pasur rritje të lartë ekonomike. Rritja ekonomike duhet të zvogëlojë numrin e familjeve dhe personave në nevojë, dhe rrjedhimisht duhet të ulen shpenzimet për skema sociale./InLajmi/