Menaxhmenti i Trepçës i ka suspenduar nga puna kryetarin e sindikatës, Ibrahim Jonuzin, nënkryetarin e sindikatës, 2 anëtarë dhe një minator.
Ky vendim u mor me arsyetimin se ata kanë keqpërdorur të drejtën në grevë duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Punonjësit Ibrahim Jonuzi, Fevzi Ademi, Desat Kerleshi, Eset Meha, Gani Osmani, punëtorë të Trepça Sh. A. largohen përkohësisht nga puna, duke filluar nga data 27.10.2023”, thuhet në vendimin e menaxhementit që është marrë para tri ditësh.
“Nga data 24.10.2023 kanë keqpërdorur të drejtën në grevë duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, shkruan në pjesën e vendimit ku shpjegohet arsyeja e suspendimit.
Ky vendim do të vlejë deri në marrjen e vendimit nga Komisioni Disiplinor, e cila ka për detyrë që të marrë një vendim brenda 6 muajve, raporton Dukagjini.com.
Ndërsa, minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e 7-të të grevës së urisë.
Kërkesat e minatorëve janë që pagat t’u dalin me kohë, të ketë përmirësim të kushteve të punës, sigurime shëndetësore dhe shkarkim të menaxhmentit.