Vazhdon greva e minatorëve në “Trepçë”. Ata këmbëngulin se nuk heqin dorë pa plotësim të kushteve. Kurse, gjendja shëndetësore e minatorëve është përkeqësuar.
6 minatorë u nxorën nga nëntoka paraditen e së premtes dhe u dërguan për trajtim mjekësor për në spitalin e Mitrovicës. Profesionistët shëndetësorë këshilluan që minatorët të marrin ushqim dhe lëngje në mënyrë që të mos u përkeqësohet gjendja shëndetësore.
“Prej mëngjesit deri më tani ndihmë kanë kërkuar 6 minatorë. Kanë ardhur me lodhje, marramendje, kanë marrë terapi. 5 prej tyre janë lëshuar në shtëpi, i 6-ti është ende duke marrë terapi”, ka bërë të ditur për RTK-në Luljeta Zhubi, drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.
Kryetari i sindikatës së “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se anëtarët e Bordit kanë qasje jokorrekte ndaj grevistëve.
“Nuk na u dha mundësia me bisedu, kanë pasë qasje joprofesionale, jokorrekte me një tendencë kërcënuese me arsyetimin se jemi vonuar 15 minuta në takim, që nuk është as humane as njerëzore, nuk kanë pas vullnet me i vizitu minatorët”, tha për RTK, Ibrahim Jonuzi kryetar i sindikatës së Trepçës.
Për gjendjen aktuale në ndërmarrjen “Trepça” kanë reaguar nga Ministria e Ekonomisë.
“Sa i përket pagave për muajin shtator, Qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro për “Trepçën” një ditë para se të fillonte greva, pra më 23 tetor 2023, ndërsa ndërmarrja ka ekzekutuar pjesën e mbetur të pagave më 25 tetor”, shkruan në reagim.
Ministria deklaron se pas dhënies së pagave dhe shpjegimit që është dhënë nga Bordi me kërkesa të tjera, më 25 tetor Bordi është informuar se e vetmja ankesë aktive mbetet shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.
Në lidhje me këtë, Bordi ka informuar punonjësit se vlerësimi dhe emërimi i kryeshefit është kompetencë ekskluzive e Bordit dhe kanë garantuar se vlerësimi i performancës i të gjithë zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes po bëhet në përputhje me ligjin.
Nga kjo ministri kanë lutur minatorët dhe punonjësit tjerë të “Trepçës” që t’i kthehen punës sa më parë.