Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit me liderët evropianë në Bruksel ka deklaruar se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.
“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, u tha në komunikatën e ZKM-së.
Në lidhje me pranimin e planit evropian për Asociacionin ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku.
Sadiku tha se në kuptimin politik sipas Kurtit të Vetëvendosjes, ky është një kapitulim politik, ndërsa si burrështetas e paraqet Kosovën palë konstruktive në dialog.
“Në kuptimin politik sipas Kurtit të Vetëvendosjes opozitare, atëherë është kapitulim politik, kurse sa i përket Kurtit si burrshetas është nje hap para i cili e bën Kosovën palë konstruktive në dialog”“Hap prespektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombërare dhe e nxjerr nga të qenurit në optikën ndërkombëtare si konflikt i ngrirë” deklaroi Sadiku.
Kryeministri Kurti dje në Bruksel ka kërkuar që siguria të jetë parësore pas sulmeve të 24 shtatorit që ndodhën në Banjskë të Zveçanit.
“Theksova se pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit, rëndësia e sigurisë së 🇽🇰 është parësore, siç është mbajtja e Serbisë përgjegjëse. Kosova ka pranuar/miratuar Marrëveshjen Themelore dhe unë ofrova ta nënshkruaj sot këtë herë së bashku me propozimin 🇪🇺🇺🇸 të 21 tetorit” deklaroi Kurti.