Partitë politike të orientimit ideologjik të majtë kudo në botë, njihen për avokimin e tyre të vazhdueshëm për të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtjes së fuqisë punëtore.
Edhe partia në pushtet, Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishte në opozitë në vazhdimësi bënte thirrje për mbrojtjen e Trepçës dhe kundërshtonte idetë për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.
Gjatë një greve në vitin 2012, kjo parti asokohe në opozitë theksonte se fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës.
“Pas tërë asaj historie të përpjekjes dhe luftës për çlirim, sot jemi në një gjendje ku kundërshtohen masat e dhunshme, kundërshtohet shpërdorimi i Trepçës për përfitime të paligjshme, kundërshtohet tendenca për ta privatizuar atë (pra, që nga Trepça të përfitojë tjetërkush e jo Kosova), dhe ku këtë kundërshtim e bëjnë minatorët në grevë, në Trepçë. Për Trepçën duhet të angazhohemi të gjithë. Trepçën duhet ta mbrojmë të gjithë, sikur secilën pasuri tjetër të Kosovës. Sikur edhe më parë, këtë e nisën minatorët”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje kishte përkrahur në vazhdimësi edhe kërkesat e minatorëve. Në vitin 2016 gjatë një vizite në Minierën e Trepçës, kryetari i atëhershëm i Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe deputeti Faton Topalli kishin përkrahur kërkesat e tyre.
“Kërkesat për njohje të përvojës së punës, njohjen e diplomave interne, përfshirja e minatorëve prej vitit 1989 në pronësinë e 20% të aksioneve, janë kërkesa të drejta dhe Lëvizja Vetëvendosja do t’i përkrahë ato”, thuhej në një komunikatë.
Rolin e minatorëve në procese historike, kryeministri Kurti nuk ngurronte ta theksonte as pasi e mori pushtetin.
Në vitin 2020 me rastin e 31 vjetorit të Grevës së Minatorëve të Trepçës, Kurti i cilësonte minatorët si figura qendrore të rezistencës për liri dhe të drejta.
“Pra, minatorët e Trepçës vërtetë ishin minatorë me profesion por që të gjithë ishin avokatë me pasion. Minatorë sepse duhej të ushqenin familjen e ta pasuronin shoqërinë, ndërkaq avokatë sepse duhej të mbronin popullin dhe Kosovën”, thoshte Kurti më 20 shkurt 2020.
Por kushtet e minatorëve po vazhdojnë të jenë të vështira edhe 2 vjet e gjysmë pasi Qeveria e majtë e Kurtit e mori pushtetin në Kosovë, për herë të 2-të.
Në greva të shpeshta, por me motive krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 1989, minatorët po gjenden vazhdimisht.
Ata nuk po paguhen rregullisht, vazhdojnë të mos kenë sigurim shëndetësor dhe po kërkojnë po ashtu shkarkimin e kryeshefit.
Për shkak të refuzimit për të ngrënë e për të pirë, katër prej punëtorëve u dërguan në spital për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore.
Ekipi i Lajmi.net ka qëndruar në vendin e ngjarjes për të parë nga afër gjendjen e minatorëve që janë në grevë.
Minatori, Fadil Feta, ka rrëfyer për Lajmi.net për punën e vështirë që bëjnë dhe për kushtet e rënda që kanë.
Ai thotë se për të marrë pagën e tyre u duhet të hynë në grevë.
“Unë jam 62 vjeçar, në “Trepçë” punoj prej vitit ’83. Atëherë grevat janë kanë ma ndryshe, sot na qe 18 vjet që punojmë u dasht me hi në grevë për me marrë pagën. Puna e vështirë që s’ka më vështirë”, ka thënë ai.
62-vjeçari tregon se problemet me pagat i kanë që nga paslufta dhe gjithmonë u duhet që të bëjnë greva që të paguhen për punën të cilën derdhin djersë.
Minatori Fadil Feta i ka bërë thirrje Qeverisë e Kuvendit që të bëjnë zgjidhje për ta dhe të mos i detyrojnë që për paratë e tyre ta ndalin punën e të hynë në grevë, pasi puna të cilën ata e bëjnë ka edhe rrezik jete.