Lëvizja Vetëvendosje e ka bojkotuar seancë e Kuvendit të thirrur nga AAK-ja për ngritjen e koeficientit të pagave, ndërsa të pranishëm në seancë nga mazhoranca ishin deputetët Visar Korenica dhe Eman Rrahmani, raporton InLajmi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri patën një përplasje me shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusar-Lila, për fillimin e seancës së re.
Tahiri insitoi për fillimin e seancës ku do të debatohej për koficientin e pagave,kurse deputetja Kusari-Lila kërkoi të përfundonte seanca e filluar në mëngjes.
“Me gjithë respektin për kërkesën dhe insistimin e z. Tahirit për me fillu seanca e jashtëzakonshme, asnjë herë në këtë legjislaturë nuk ka qenë praktikë, ose të paktën nuk kemi arritur të fillojmë seancën në kohën kur është caktuar. Kjo seancë ka filluar me 40 minuta vonesë dhe insistojmë që të përmbyllen punimet e seancës së datës 28 shtator dhe 4 tetorit për t’u hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa, Tahiri pyeti nëse VV do të qëndrojë gjatë seancës së jashtëzakonshme.
“Dua të kem një deklarim a do të rrinë në seancë të diskutimit për koeficientin apo jo. Dua ta di a do të rrijë VV në seancë”, tha ai.
Ai tha se janë pajtuar që seanca e jashtëzakonshme të nisë në orën 12:00 dhe jo në orën 10:00 në mënyrë që të kryhen disa votime.

Kësaj kërkese nuk i’u përgjigj Kusari-Lila. Kurse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka nisur seancën e jashtëzakonshme.