Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se diplomatët perëndimorë që të shtunën ishin në Prishtinë ku u takuan me kryeministrin Albin Kurti, ofruan një plan të ri për ecjen përpara në dialogun Kosovë-Serbi.
Me këtë rast kryeministri Kurti i ka falënderuar diplomatët për planin që kanë ofruar si dhe ka shprehur vlerësimet e tij, duke theksuar se diskutimet duhet të intensifikohen.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se Kurti ka theksuar që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe territorit.
“Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorizim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thekson tutje njoftimi qeveritar.
Kurti në këtë takim ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ndërsa pesëshja diplomatike përbëhej nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo./InLajmi/