Përfaqësuesi special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurit, është shprehur se pa vonesë Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, raporton InLajmi.
Ai tha se pa Asociacionin nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën evropiane.
Emisari Lajçak konfirmoi se në Kosovë kanë ardhur me një plan dhe se të njëjtin e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti.
“Kurti ka një përgjegjësi për të bërë progres në normalizimin e relacioneve nëse Kosova do të bëjë progres drejt BE-së. Tash ne duhet të theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa ndonjë vonesë. Pa këtë, nuk do të ketë progres të Kosovës në rrugën evropiane. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona shpejt. Do të vazhdojmë në Beograd ku do të takojmë presidentin Vuçiq”, deklaroi Lajçak.
Përfaqësuesi Special i BE-së tha se ai plan do të diskutohet edhe në Serbi me Aleksandar Vuçiqin, derisa ka thënë se s’mund të lëshohet më shumë në detaje.
Lajçak është shprehur se dialogu s’ka alternativë dhe ka potencuar se sulmi në Banjskë ka ndryshuar shumë gjërat.
“Ne gjithmonë kemi plan, patëm një plan, e diskutuam planin tonë me z. Kurti. Do ta diskutojmë edhe me z. Vuçiq. Nuk do të lëshohem më shumë në detaje. Dialogu s’ka alternativë. Sulmi i Banjskës ka ndryshuar shumë gjëra. Dhe isha shumë i qartë që autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë”, tha Lajçak./InLajmi/