Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm dhe i uroi suksese në angazhimin e mëtejmë.
Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Minxhozi për angazhimin e tij përgjatë viteve për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të 2 shteteve simotra.
Me këtë rast, ajo e vlerësoi bashkëpunimin, si dhe përkushtimin e ambasadorit Minxhozi për t’i përafruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona.
“Presidentja Osmani deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet, duke thënë se fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi. Në këtë frymë, Presidentja përmendi edhe nevojën e vazhdimit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të 2 shteteve tona”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend e rajon, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim, shkruan RTV Dukagjini.
Presidentja theksoi se shqiptarët në të 2 anët e kufirit gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik.