Komiteti Ndërministror për Administrimin e Tokës dhe Infrastrukturën Kombëtare për Informacionin Hapësinor, të enjten ka mbajtur mbledhjen e 2-të, me ç’rast u dhanë sugjerime nga palët e përfshira, raporton, InLajmi.
Fotografimi i territorit të tokës në Kosovë e finalizimi i sistemit të adresave është prioritetet kryesore i komitetit .
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, deklaroi se administrimi i tokës është thelbësor për rritjen ekonomike e ngritje të mirëqenies së qytetarëve.
“E kemi potencuar se administrimi i tokës janë thelbësore për rritje ekonomike e ngritje të mirëqenies së qytetarëve. Në këtë mes agjencitë kadastrale luajnë rol kyç dhe deri më sot janë bërë përparime në kadastrën e Kosovës dhe po shtohet numri i pronarëve të tokave, duke përfshirë legalizimin. Po trajtohen objektet pa leje e kështu më radhë”, tha Durmishi.
Ai me tej shtoi se po punojnë intensivisht për për procesin e shpronësimin dhe numrin e adresave
“Përveç infrastrukturës kombëtare, do të diskutojmë edhe për procesin e shpronësimin dhe numrin e adresave. Ne do të vazhdojmë që të kërkojmë zhvillimin e projekteve, dhe do të jemi monitorues dhe do të ofrojmë përkrahjen në realizimin e planeve tona”, u shpreh Durmishi.
Ndërsa nga arritjet që kanë ndodhur në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, foli zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Avni Ahmeti.
Ai pohoi se janë në realizim të disa projekteve siç janë fotografimi i tokave, finalizimi i sistemit të adresave etj.
“Gjatë kësaj periudhe janë hartuar pesë Udhëzime Administrative për implementimin e Ligjit për Infrastrukturë Kombëtare për të dhënat hapësinore. Korniza ligjore për menaxhimin e tokës dhe infrastrukturës kombëtare për të dhëna hapësinore, lehtëson zhvillimin e administrimit të tokës në Kosovë”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti vuri në pah se paralelisht me ligjin po punohet edhe në Udhëzimin Administrativ për implementimin e Ligjit për Kadastër.
“Paralelisht me Ligjin, jemi duke punuar në UA për implementimin për Ligjin për Kadastër dhe planifikojmë që të hartojmë një strategji të qartë dhe një plan të veprimit për realizimin e suksesshëm, sidomos të organizimit vertikal të kadastrit në Kosovë, i cili parashihet të ndodh me këtë Ligj. Jemi në realizimin e projekteve tjera, siç janë fotografimi i territorit të tokës në Kosovë, finalizimi i sistemit të adresave dhe shumë shpejtë do të fillojmë edhe me projekte tjera të rëndësishme”, u shpreh Ahmeti./InLajmi/