Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Ramush Haradinaj, ka adresuar kritika ndaj qeverisjes aktuale, ndërsa thekson se Kosova është shndërruar në problem të sigurisë ndërsa qeveria Kurti mburret se si janë rritë në përqindje, përcjell InLajmi.
Haradinaj shprehet se eksponentë të qeverisë Kurti, aksionin e 24 shtatorit e kanë kalkuluar rritje në përqindje, votë, edhe atë ditë ka humbë jetën një polic i Kosovës.
Për më tepër Haradinaj tha se po këta njerëz harrojnë që para shumë vitesh Kosova është ndier e sigurtë, dhe disa shtet kishin tërhequr trupat e tyre kurse sot po të njëjtat kanë rikthyer trupat në Kosovë që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
Haradinaj shprehet se këta njerëz nuk po e kuptojnë sa dëm po i bëjnë vendit me qasjen mburravece.
Postimi i plotë i tij:

Mburrja e eksponentëve të Qeverisë Kurti dhe deliri i tyre se pas 24 shtatorit janë rritë në përqindje, tregon se sa keq është Kosova e sa kalkulantë janë ata. Këta njerëz harrojnë që në një operacion të rendit dhe të ligjit është vrarë një hero dhe Kosova është shndërruar në problem të sigurisë e paftyrësisht mburren se si janë rritë në përqindje.
Këta njerëz harrojnë që para shumë vitesh Kosova është ndier e sigurtë, dhe nisur nga ky fakt Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar patën tërhequr trupat e tyre në kuadër të KFOR dhe tash janë detyruar të rikthehen. Këta njerëz nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës me qasjen e tyre mburravece dhe me të panjohurat që pasojnë kur çështja e sigurisë së brendshme, kthehet në çështje të sigurisë ndërkombëtare. /InLajmi/