Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka parashikuar se deri në fund të këtij vitit rritja ekonomike e Kosovës, do të shkojë deri në 4.3%.
“Parashikimet e BQK-së për gjysmën e 2-të të vitit 2023 sugjerojnë për një rritje prej 3.7 % në TM3 dhe 4.3% në TM4 2023”, thuhet në raportin e BQK-së
Sipas BQK-së, investimet e përgjithshme, konsumi publik si dhe eksporti i shërbimeve, i ndërlidhur me shpenzimet e diasporës, pritet të jenë shtytësit kryesor të rritjes, ndërsa pritjet për rënie të eksportit të mallrave pritet të ndikojnë negativisht aktivitetin e përgjithshëm ekonomik
“Aktiviteti ekonomik u reflektua në rritjen e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara, që arriti në 3.086 ndërmarrje në TM1 2023, gjegjësisht 9.0 % më shumë krahasuar me TM1 2022. Sektori i tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë, aktiviteteve profesionale, hotelerisë dhe sektorë të tjerë regjistruan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”, të BQK-së.
Sipas BQK-së, të hyrat buxhetor në TM2 2023 arritën vlerën neto prej 682.5 milionё euro, duke paraqitur një rritje vjetore prej 16.4%, shkruan RTK.
“Shpenzimet buxhetore shënuan rritje prej 17.1% dhe arritën vlerën prej 619.5 milionё euro. Rrjedhimisht, Buxheti i Kosovës regjistroj bilanc pozitiv buxhetor prej 62.9 milionё euro”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”, të BQK-së..