Grupi Parlamentar i AAK-së ka kritikuar mazhorancën për bojkotim të seancave dhe komisioneve parlamentare sikur edhe kërkesave të opozitës, raporton InLajmi.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se bojkotimi i të gjitha kërkesave të opozitës është i paarsyeshëm.
Ai tha se do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet në të mirë të qytetarëve.
“Qëndrimi i mazhorancës për të bojkotuar të gjitha kërkesat e opozitës është e paarsyeshme. Në praktikat parlamentare nuk ka ndodhur që shumica t’i bojkotojë seancat e komisionet. Po na marrin të vetme të drejtë që e kemi, pyetjet parlamentare”, theksoi Lekaj.
Tutje ka theksuar deputeti Lekaj se jemi për zgjidhje ku do të jetë prioritet qytetari e jo partia.
“Prandaj ne jeni të shqetësuar dhe kërkojmë një zgjidhje dhe të dominojë qytetari dhe jo Lëvizja Vetëvendosje. Ne si AAK i kemi përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet që kanë shkuar në të mirë të qytetarëve”, tha ndër të tjerash Lekaj.
Lekaj theksoi se nuk do të dorëzohen si opozitë ndaj kërkesave të qytetarëve.
“Ne qëndrojmë fortë në kërkesat e qytetarëve dhe do të këmbëngulim. E patë me çfarë injorance që thirreshin në heroizëm, ata nuk e votuan rezolutën që kërkon përkrahje për Policinë e Kosovës”, deklaroi Lekaj./InLajmi/