Sipas shifrave zyrtare të Palestinës, në Gaza janë varë 447 fëmijë. Po ashtu forcat izraelite i kanë vrarë 248 gra.
“Zyrtarët palestinezë thonë se 447 fëmijë dhe 248 gra janë në mesin e 1,417 personave të vrarë gjatë bombardimeve izraelite që nga e shtuna”.
Spitali në qytetin e Gazës, është në vështirësi për të përballuar numrin e të plagosurve me një sasi shumë të kufizuar karburanti. Të gjitha trajtimet, përveç thelbësore, janë pezulluar për t’u fokusuar vetëm në operacionet për shpëtimin e jetës.
“Takova një grua që u plagos. Ajo ishte e shtrirë në një shtrat dhe më tha se kishte pritur me orë të tëra për të bërë një operacion në këmbë. Mjeku i ka thënë se nuk është në listën prioritare”, thotë gazetari i BBC-së.
Spitalet në Gaza rrezikojnë të kthehen në morgje pa energji elektrike, thotë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).
Termocentrali i vetëm i Gazës mbeti pa karburant të mërkurën dhe gjeneratorët rezervë mund të ndalojnë së punuari brenda disa orësh, shton ai.
Qendrat mjekësore janë mbingarkuar pasi Izraeli vendosi një “rrethim të plotë” në Gaza dhe goditi territorin me sulme ajrore dhe artilerie.
Hamasi nisi një sulm të paprecedentë në Izraelin jugor të shtunën.
Izraeli është zotuar se nuk do të rivendosë energjinë elektrike ose nuk do të lejojë burimet bazë dhe ndihmën humanitare në Gaza derisa Hamasi të lirojë rreth 150 pengje që rrëmbeu gjatë sulmeve të tij të shtunën.
“Ndërsa Gaza humbet energjinë, spitalet humbasin energjinë, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen. Dializa e veshkave ndalon dhe rrezet X nuk mund të merren” tha Fabrizio Carboni, drejtori i KNKK-së për rajonin, transmeton RTV Dukagjini.
“Pa energji elektrike, spitalet rrezikojnë të kthehen në morgje”.
Ai shtoi se spitalet janë ende duke punuar me gjeneratorë – por karburanti do të zgjasë vetëm “për disa orë”.